Sulmi në Ankara: Turqia fajëson kurdët, paralajmëron NATO-n dhe aleatët

Sulmi në Ankara: Turqia fajëson kurdët, paralajmëron NATO-n dhe aleatët

Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu, ka thënë se sulmin e mbrëmshëm në kryeqytetin e Turqisë, Ankara e kanë realizuar kurdët e Sirisë, organizata e njohur si YPG dhe PYD.

Në ditët e kaluara Turqia kishte kritikuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e dhënë ndaj kurdëve të cilët Turqia i konsideron si terroristë, raporton Insajderi

Edhe pas sulmit të mbrëmshëm kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu ka reaguar duke thënë se kjo organizatë është terroriste dhe nuk duhet të mbështetet.

“Asnjë shtet anëtar i NATO-s dhe asnjë shtet që është aleat i yni, nuk mund ta mbështes një organizatë terroriste. Kjo për neve është një tradhti”, është shprehur Davutoglu.

Më tutje Davutoglu ka thënë se grupi kurd PYD nuk ka asnjë dallim nga grupi terrorist i kurdëve në Turqi PKK.

“Paralajmërojmë edhe njëherë, PYD për neve nuk ka asnjë dallim nga PKK”, është shprehur Davutoglu.

Ndërkohë, është zbuluar edhe identiteti i personit i cili ka realizuar sulmin mbrëmë në Ankara të Turqisë.

Personi është identifikuar si Salih Neccar ka hyrë në Turqi përmes rrugëve ilegale nga Siria. Sipas raportimeve të medieve, ai ka qenë në lidhje direkte dhe ka marrë urdhra nga shtrirja e kurdëve në Siri, PYD dhe YPG.

Ndërkaq, nga autoritetet turke është zbuluar se vetura e shpërthyer në sulm, e cila ka lënë të vdekur rreth 28 persona dhe 60 të tjerë të lënduar ka qenë një veturë e marrë me qira, raporton Insajderi

Vetura Volkswagen Schirocco, ishte huazuar në qytetin Izmir për një javë, ndërsa pasi kaluan dhjetë ditë nga huazimi i saj, ajo u shpall e vjedhur.

Më pastaj sulmuesit falsifikuan regjistrimin e saj, me regjistrimin e një veture me targa të Stambollit.

Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu ka njoftuar se nga 28 personat që humbën jetën 27 janë pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Turqisë, derisa një tjetër është civil./Insajderi.com