Vatikani: Duhet të presim për marrë masa kundër abuzimit seksual

Kreu i Kishës Katolike në SHBA ka propozuar një mekanizëm të ri të lajmërimit të rasteve të abuzimit.

Vatikani: Duhet të presim për marrë masa kundër abuzimit seksual

Selia e Shenjtë ka urdhëruar në konferencën e peshkopëve amerikanë që në këtë seancë plenare të mos deklarohet mbi masat për eliminimin e abuzimit seksual në radhët e tyre, duke kërkuar që të pritet konferenca e cila do të mbahet për këtë temë në shkurt të vitit të ardhshëm, transmeton Al Jazeera Balkans.

Në fjalimin e tij në hapje të seancës, kardinali Daniel DiNardo, kryetar i konferencës, ka konfirmuar se ka marrë një letër nga Kongregacioni i peshkopëve dhe ka thënë se në seancë nuk do të ketë votim siç ishte planifikuar më herët.

Kadrinali Blase Cupich, peshkopi i Çikagos, ka shtuar në kumtesë se Selia e Shenjtë ka kërkuar nga konferenca “ta shtyjë” votimin përfundimtar në pritje të seancës së konferencës së peshkopëve nga bota e cila do të mbahet në shkurt në Romë.

Kadrinali DiNardo ka shprehur “zhgënjim” në konferencë për shtyp, ditën e parë të seancës plenare e cila po mbahet prej të mërkurës në Baltimor, në verilindje të SHBA.

Kreu i Kishës Katolike në SHBA ka propozuar rregulla të reja të sjelljes, mekanizëm të ri të lajmërimit të rasteve të abuzimeve si dhe themelimin e komisionit hetues në kreun e të cilit do të jenë persona jashtë kishës.

“Nuk jemi të kënaqur me këtë”, ka thënë kardinali DiNardo në lidhje me kërkesën e Selisë së Shenjtë. “Po punojmë shumë se si do të mund të fillojmë të veprojmë. Dhe këtë do ta bëjmë. Vetëm që ende nuk është momenti i duhur për këtë”.

Në fillim të tetorit konferenca e peshkopëve ka paralajmëruar themelimin e qendrës për thirrje për viktimat e abuzimeve nga ana e klerikëve.

Sipas të dhënave të organizatës “Bishop Accountability”, 6.721 klerikë janë akuzuar në SHBA për abuzim seksual në periudhën prej 1950 deri 2016.

Organizata e njëjtë vlerëson se 18.565 fëmijë kanë qenë viktima të tyre./Insajderi.com.