BE kërkon nga Hungaria sqarim të qartë për Gruevskin

Kryeministri hungarez Viktor Orban duhet të ofrojë “sqarimi të qartë” për vendimin e vendit të tij që t’i aprovojë azil politik ish kryeministrit maqedonas, ka deklaruar të mërkurën në profilin e tij në Twitter komisionari për zgjerim të BE.

BE kërkon nga Hungaria sqarim të qartë për Gruevskin

Nikola Gruevski, i cili është arratisur nga Maqedonia pasi është dënuar me dy vjet burgim për shkak të korrupsionit, ka publikuar të martën se i është dhënë azili politik në Hungari.

Johannes Hahn, komisionar i Komisionit Evropian për negociata dhe zgjerim të BE, në Twitter ka shkruar se ka parë raportimet për azil të dhënë nga një anëtare  e BE-së, Hungarisë.

“Nëse konfirmohet ky lajm, pres nga Viktor Orban të jep sqarim për arsyet e tij”, ka shkruar Hahn.

Edhe pse autoritetet hungareze nuk e kanë konfirmuar këtë informatë, gazeta pro qeveritare Magyar Idok ka publikuar të martën në faqen e saj në Internet se kërkesa e ish liderit maqedonas është zgjidhur suksesshëm, duke mos theksuar se bëhet fjalë për azil “politik”.

“Shërbimi i imigracionit ka konstatuar se Gruevski i plotëson kushtet ligjore për marrje të statusit të refugjatit”, ka shtuar gazeta. Njëkohësisht ka vlerësuar se është “i bazuar” pretendimi i tij se në Maqedoni e ka jetën në rrezik, ka publikuar Magyar Idok.

Ish kryetari i partisë VMRO-DPMNE Nikola Gruevski e ka udhëhequr vendin prej vitit 2006 deri në 2016. Gruevski dhe kryeministri hungarez Viktor Orban disa herë kanë shprehur afërsinë e tyre politike. Të dy janë kundërshtarë të miliarderit amerikan me prejardhje hungareze George Soros, për shkak të përkrahjes së tij për imigracionin.

Gruevski në tetor u dënua me dy vjet burg për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare me rastin e blerjes së Mercedesit me vlerë prej 600.000 euro.

Maqedonia në vitin 2005 zyrtarisht është pranuar si kandidat për hyrje në Bashkimin Evropian, mirëpo ende nuk i ka nisur negociatat për anëtarësim./Insajderi.com.