Turqia ka shkarkuar mbi 40,000 shërbyes civilë

Qeveria e Turqisë njoftoi të premten se afro 43,000 veta janë dëbuar nga puna në institucionet publike, për shkak të lidhjeve të dyshura me "organizatat terroriste që rrezikojnë sigurinë kombëtare".

Turqia ka shkarkuar mbi 40,000 shërbyes civilë

Lista e emrave dhe e pozitave, e publikuar nga gazeta zyrtare e qeverisë, tregon për spastrimin e gjerë që ka ndërmarrë Turqia që nga përpjekja për grushtshtet më 15 korrik.

Qeveria fajëson klerikun fetar, Fethullah Gulen, për komplotin. Gulen, i cili jeton në mërgim në Shtetet e Bashkuara, mohon përfshirjen.

Numri më i madh i të shkarkuarve, përkatësisht 28,163, është në Ministrinë e Arsimit Kombëtar.

Që nga kaosi i 15 korrikut, i cili ka lënë mbi 270 veta të vrarë, autoritetet turke po ashtu kanë arrestuar mijëra njerëz, duke përfshirë ushtarë, policë, gjyqtarë dhe gazetarë.