Macron paralajmëron rritjen e pagave në përpjekje për të qetësuar Francën

Macron paralajmëron rritjen e pagave në përpjekje për të qetësuar Francën

Presidenti francez, Emmanuel Macron, paralajmëroi të hënën rritjen e pagave për punëtorët më të varfër dhe uljen e taksave për pensionistët, si pjesë e përpjekjeve të tij për të shtendosur situatën e krijuar pas disa javë protestash shpesh të dhunshme që e kanë sfiduar autoritetin e tij.

Në fjalimin e tij të parë drejtuar kombit pas dy fundjavave me trazirat më të egra në Francë pas një kohe të gjatë, presidenti Macron u përpoq të rivendoste qetësinë dhe foli me një ton të përulur pas akuzave se stili i tij qeverisës dhe politikat ekonomike po ndanin vendin.

Por, ai refuzoi vendosjen e taksës mbi pronën dhe të heqë dorë nga agjenda e reformave të cilat tha se do t’i vazhdojë në vitin 2019, më përmirësimin e pensioneve, të përfitimeve për të papunët dhe shpenzimet publike.

“Ne do t’u përgjigjemi urgjencave ekonomike e sociale me masa të forta, duke ulur taksat me shpejtësi, duke e mbajtur shpenzimet nën kontroll, por nuk ka kthim parapa”, tha presidenti Macron në fjalimin televiziv 13 minutësh nga Pallati Elysee.

Ai mbajti fjalim 48 orë pasi që protestuesit u përleshën me policinë, dogjën makina e plaçkitën dyqane, në fundjavën e katërt të protestave të lëvizjes së “jelekëve të verdhë, që filloi si revoltë ndaj çmimit të karburanteve.

Me masat që ka të ngjarë t’i kushtojnë miliarda arkës së shtetit, presidenti Macron tha se njerëzit me pagën minimale, do të shohin një rritje prej 100 eurosh në muaj në vitin 2019 pa kosto shtesë të punëdhënësve.

Pensionistet që marrin më pak se 2 mijë euro, do të shohin këtë vit anulimin e taksës së sigurimeve sociale, tha presidenti Macron, duke folur për masën e cila kishte dëmtuar posaçërisht popullaritetin e tij në mesin e votuesve të moshuar.

“Nuk ka dyshim që gjatë një vitit e gjysmë nuk kemi ofruar përgjigje të forta dhe të shpejta. Unë e marr përsipër përgjegjësinë”, tha ish bankieri 40 vjeçar i cili është kritikuar shpesh edhe për qëndrim arrogant.

“Mbase kam krijuar përshtypjen se nuk jam brengosur dhe kam pasur përparësi të tjera. E di po ashtu se i kam lënduar disa prej jush me fjalë”, tha ai.

Rreth 2, mijë vetë u arrestuan të shtunën në të gjithë Francën. Ministria e Brendshme thotë se rreth 136, mijë njerëz u mblodhën për të protestuar kundër kostos së lartë të jetesës që u mbajtën në një numër qytetesh përveç Parisit, duke përfshirë Marsejën, Bordonë, Lionin dhe Tuluzën.

​Protestat nisën në nëntor dhe drejtoheshin kundër rritjes së taksës së karburantit, që ishte pjesë e planit të presidentit Macron për të luftuar ngrohjen globale. Katër vetë kanë humbur jetën në aksidente që lidheshin me protestat.

“Këto janë masa gjysmake. E ndjejmë se Macron ka ende për të dhënë”, i tha televizionit France 2, Benjamin Cauchy, nga lëvizja e “jelekëve të verdhë” i cili e kishte takuar javën e kaluar presidentin francez. /VoA