Ndryshe nga sa deklaroi një ditë më parë Anthony Joshua, promotori Eddie Hearn ka bërë me dije sot se ka nisur bisedimet me stafin e boksierit britanik Dillian Whyte, për të zhvilluar një duel mes tyre më 13 prill 2019.
Kjo sfidë mes dy boksierëve britanikë do të zhvillohet në stadiumin “Wembley”, në Londër.
Në fakt, kjo sfidë do të jetë një revansh për Whyte, me Joshuan që e ka fituar përballjen e parë ndaj Dillian në vitin 2015, por asokohe sfida nuk ishte e vlefshme për titullin kampion.
Ndërsa tani Joshua është kampion bote në peshën e rëndë dhe më 13 prill i duhet të mbrojë titujt. Duke qenë se sfida e unifikimit të titujve kampionë me Deontay Wilder është e pamundur, Joshua ka vendosur të duelojë sërish ndaj Whyte.
“Ne duam Wilderin, por duke qenë se ai është orientuar drejt revanshit me Tyson Furyn, atëherë edhe ne jemi detyruar të shohim alternativa të tjera. Dhe në listë, pas Wilder, është Whyte, që fitoi duelin me Chisoran dhe tani mbetet pretendenti numër 1. Edhe pse fansat duan një duel më të fortë, nuk kemi zgjidhje tjetër. Bisedimet kanë nisur, së shpejti do të ulemi me stafin e Whyte për të diskutuar më në detaje edhe pse ende nuk ka asgjë konkrete”, tha Eddie Hearn.
Një ditë më parë, Anthony Joshua e quajti Dillian Whyte një idiot dhe tha se nuk është i interesuar të duelojë sërish ndaj tij.
Por i mbetur duarbosh, Joshua nuk ka alternativë tjetër, veçse të zgjedhë revanshin me Whyte. Ndërkohë që, një “mision i pamundur” duket edhe sfida e dytë me legjendën Wladimir Klitschko.