Viti i Ri! Mundësi të reja! Përkushtime dhe vendime të reja! Festimet dhe traditat variojnë nga njëri vend në tjetrin, por në pjesën më të madhe të vendeve të botës, nata e Vitit të Ri është një nga festat më të rëndësishme, e cila festohet me miq e familjarë.
Dhjetë vendet e mëposhtme janë më të mirat ku mund të kaloni një natë të paharrueshme të ndërrimit të viteve. Kjo listë ofron për çdo udhëtar një përzgjedhje vendesh të ndryshme nga pesë kontinente të botës, ku ata mund të gjejnë atë që kërkojnë.
1. Sidnej, Australi
Qyteti më i madh në Australi dhe i pari në botë që feston natën e ndërrimit të viteve. Ka diçka për të gjithë në Sidnej dhe këtu vijnë që nga familjarët e deri te pensionistët, kampistët dhe të gjithë njerëzit e pasionuar pas festave madhështore. Fishekzjarrët në Portin e Sidnej janë pjesa më interesante e festës në Australi. Fakti që në këtë kohë është verë në Australi, ofron një ndjesi të veçantë për Hemisferën Veriore. Qyteti i Sidnej me Pallatin e Operave dhe Portin e madh krijon një sfond të mrekullueshëm për fishekzjarrët. Në rast se nuk preferoni të përfshiheni në turma të mëdha njerëzish, mund të zini një vend në varkat e shumta dhe të shijoni festimet marramendëse nga uji.
Fishekzjarrët e mëdhenj janë arsyeja kryesore pse njerëzit nga e gjithë bota vijnë në Sidnej për të festuar Natën e Vitit të Ri. Vendet më të mira për të parë fishekzjarrët zihen shumë shpejt, kështu që planifikoni paraprakisht dhe përpiquni të jeni aty që pasdite në mënyrë që të paktën të mund të gjeni vend. Ka shumë bare dhe restorante në këtë zonë të cilët organizojnë festat e tyre, për këdo që nuk dëshiron të përfshihet në një turmë prej më shumë se 1 milion njerëzish në dhe rreth e qark zonës së Portit.
2. Tokio, Japoni
Nëse planifikoni të festoni Vitin e Ri në Tokio, duhet të dini se festa zgjat shumë. Në Tokio, festa e Vitit të Ri mund të zgjasë deri në një javë, ku festimet nisin që në datën 29 dhjetor e zgjasin deri më 4 janar. Një aspekt negativ i kësaj feste masive është se pjesa më e madhe e restoranteve në qytet mbyllen, ndërsa baret qëndrojnë hapur, por nëse kërkoni një përvojë unike dhe interesante, Tokio është vendi i duhur. Fishekzjarrë, kërcime dhe këngë janë normale, siç është dhe gatimi tradicional i Toshikoshi Soba (supa me makarona e Vitit të Ri), ku makaronat e gjata simbolizojnë një jetë të gjatë e të shëndetshme. Një përvojë e bukur është të dëgjosh Juya No Kane (Sahati me zile), i cili tingëllon 108 herë në tempujt e së gjithë Japonisë, gjë që simbolizon një vit të begatë.
Kulla e Tokios është vendi më popullor në qytet, ku mblidhen turmat më të mëdha. Por gjëja më e bukur e natës së Vitit të Ri në Tokio është se nuk ju duhet të shkoni në vende specifike të qytetit për të jetuar një përvojë unike dhe të paharrueshme. Një tjetër arsye për të vizituar këtë qytet të bukur në këtë kohë, është se dyert e Pallatit Perandorak hapen për publikun në datën 1 Janar, një nga dy ditët e vetme në të gjithë vitin.
3. Koh Phangan, Tajlandë
Nëse jeni për festa dhe kërcim, nuk ka vende të tjera më të mira për ta pritur Vitin e Ri se në Koh Phangan. I njohur për festat e Hënës së plotë dhe atmosferën festive gjatë gjithë vitit, Koh Phangan arrin kulmin festiv në natën e Vitit të Ri. Mbi 50,000 njerëz vijnë në këtë ishull tajlandez për disa ditë gjatë kësaj kohe, dhe nëse jeni të rinj (ose të rinj në shpirt), ky është vendi ku mund të gjeni festat më bukura në botë. Festimet e gjata me njerëz të ngjashëm në preferencë është një gjë, por fakti se veshjet e kësaj feste janë shapka me gisht dhe rroba banje, është një arsye më shumë për të ardhur këtu e për t’u dëfryer nën palmat relaksuese.
Haad Rin është qendra e festës, por nëse doni të vini këtu, planifikoni paraprakisht. Nëse nuk keni dëshirë të rrini në turmën e madhe këtu, mund të zgjidhni një tjetër plazh. Planifikimi i transportit është një tjetër gjë e rëndësishme. Shumë tajlandezë janë në pushim gjatë kësaj periudhe, kështu që trenat, autobusët dhe avionët prenotohen herët.
4. Edinburg, Skoci
Edinburgu ka ndoshta një nga traditat më unike dhe më të vjetra të festimit të Vitit të Ri. Këto festa madje kanë edhe emrin e tyre, Hogmanay. Një shfaqje mahnitëse fishekzjarrësh dhe pishtarësh të ndezur zjarri në të gjithë Edinburgun janë vetëm disa nga traditat që ende aplikohen sot, por që e kanë rrënjën te festimet pagane para qindra viteve. Shumë skocezë aplikojnë traditën e “këmbës së parë”, që do të thotë se personi i parë që shkel në shtëpinë e një skocezi ditën e parë të Vitit të Ri duhet të jetë mashkull dhe brun (kjo traditë filloi në kohët vikingase, ku vizitori biond zakonisht ishte pushtuesi armik). Miku zakonisht sjell disa dhurata si uiski dhe ëmbëlsira të gatuara në shtëpi.
Festimet Hogmanay zgjasin tre deri në katër net, ku kortezhi i pishtarëve të ndezur fillon që më 30 dhjetor. Mbi 100,000 njerëz u bashkohen festave të rrugës në datën 30 dhe 31, ku mbizotërojnë fishekzjarrët, muzika, kërcimi dhe pije e ushqime pafund. Edhe 1 Janari është një ditë plot festime, koncerte dhe evenimente kulturore. Kushdo mund të marrë pjesë në këto festime, ku kortezhi i pishtarëve fillon në High Street të qytetit të vjetër dhe mbaron në Calton Hill. Shfaqja e bukur e fishekzjarrëve në Kështjellën e Edinburgut lajmëron ardhjen e Vitit të Ri në mesnatë.
5. Paris, Francë
Pse Parisi? Sepse këtu feston ardhjen e Vitit të Ri në një nga qytetet më madhështore të botës! Nëse doni të kërceni, pini e të shkoni në klube nate, apo thjesht doni të shijoni një mbrëmje të qetë me miqtë tuaj, Parisi ofron gjithçka për të kaluar sa më mirë Vitin e Ri. Shumë festa organizohen në Champs-Elysees dhe Montmarte, ku turma të mëdha njerëzish shijojnë shfaqjen e fishekzjarrëve. Nëse vini në Paris për ushqimin e këtij qyteti, ka shumë mundësi për të kënaqur shijet tuaja. Nëse vini këtu për t’u dëfryer, nuk do të keni asnjë problem të gjeni kabare të shumta.
Champs-Elysees është vendi kryesor i festës së rrugës, me turma të mëdha njerëzish dhe një shfaqje mbresëlënëse fishekzjarrësh rreth Kullës Eifel. Nëse doni të kaloni festën në Paris, sigurohuni të planifikoni paraprakisht e të mbërrini herët. Për një përvojë të ngjashme, në sheshin e Katedrales Sacre Coeur në Montmarte, festa është më e qetë. Nëse është një natë pa mjegull, nuk do të keni probleme të shikoni vijën e horizontit të Parisit dhe shfaqjen e fishekzjarrëve. Mijëra e mijëra restorante, bare, kabare dhe klube nate gumëzhijnë nga njerëzit e shumtë që dëfrehen në Qytetin e Dritave, kështu që mund të gjeni padyshim vendin tuaj të preferuar.
6. Barcelona, Spanjë
Nëse keni qenë më parë në Barcelonë, do ta dini se ka një stil dhe energji unike, që nuk gjendet askund tjetër. Festimet e Vitit të Ri janë po aq energjike dhe unike sa edhe ditët e tjera që kalon ky qytet i mrekullueshëm. Nëse kërcimi dhe festat deri në agim janë ideja juaj e festimeve të Vitit të Ri, këtu do të keni mundësinë të festoni mes festuesve më të pasionuar të botës. Kultura spanjolle e darkave të vona dhe mbrëmjeve më të vona jashtë shtëpie, theksohet edhe më shumë në mbrëmjen e Vitit të Ri. Ndryshe nga kulturat e tjera në botë, Barcelona nuk i nis festimet deri afër mesnatës, ku tradita dikton ngrënien e 12 kokrrave rrushi gjatë 12 tingëllimave të fundit të vitit të vjetër. Është zakonisht kohë e kaluar mes familjarëve, deri në mesnatë. Më pas njerëzit dalin në klube për të festuar deri në agimin e ditës tjetër.
Ndryshe nga shumë qytete të tjera, nuk ka një zonë kryesore ku njerëzit festojnë Vitin e Ri. Këtu, njerëzit shpërndahen në të gjithë qytetin. Nëse gjendeni në Barcelonë dhe nuk njihni një familje vendase, ju ndoshta do të drejtoheni në një restorant me ambient festiv. Bëni plane dhe rezervime paraprakisht, për arsye se restorantet mbushen shpejt. Shumë restorante ofrojnë festa speciale me meny specifike të Vitit të Ri, por me çmime më të shtrenjta se zakonisht. Pas darke, sidomos të rinjtë nisen drejt klubeve dhe bareve për të kërcyer e për t’u dëfryer gjatë gjithë natës, kështu që sigurohuni të bëni gjumin e pasdites ditën e fundit të vitit, ose siç i referohen vendasit “la siesta”.
7. Rio de Zhaneiro, Brazil
Njësoj si Barcelona, Rio njihet si një nga kryeqytetet e festave në botë, kështu që vetëm mund të imagjinoni se si mund të jetë këtu festa e Vitit të Ri. Si në Sidnej, edhe këtu është stina e verës, kështu që njerëzit organizojnë festa plazhi, ku veshjet kryesore janë bikini dhe rroba banje. Megjithëse qytetet e tjera ofrojnë opsione të ndryshme zbavitjeje, nëse dëshironi të shkoni në Rio, do të keni mundësinë të kërceni dhe festoni me disa nga festuesit më të pasionuar në botë – brazilianët. Këta njerëz dinë si të kalojnë mbrëmjen jashtë shtëpisë, kështu që përjetimi i festës së dytë më të rëndësishme në vend (pas Karnavaleve), do të jetë padyshim një nga kujtimet më të paharrueshme për ju.
Si shumë gjëra të tjera në Rio de Zhaneiro, festa fillon dhe përfundon në Plazhin Kopakabana. Qendra e festave është në këtë plazh të famshëm, që përfshin të gjitha zhanret muzikore dhe të gjitha aktivitetet gazmore që mund të keni imagjinuar ndonjëherë. Festa e ndërrimit të viteve përfshin një nga shfaqjet më masive të fishekzjarrëve në botë (rreth 1200 fishekzjarrë), përveç katër skenave të ndryshme përgjatë Plazhit Kopakabana, ku secila paraqet muzikë të ndryshme nga tjetra. Kjo dekadë është e rëndësishme për Brazilin, për arsye se Brazili do të jetë në qendër të vëmendjes botërore me pritjen e Kupës së Botës (2014) dhe gjithashtu Lojërave Olimpike (2016), ku për të festuar krenarinë kombëtare, brazilianët do ta quajnë këtë “Dekada e Artë”.
8. Ujëvara e Niagarës, Ontario, Kanada
Një festë unike, krejtësisht ndryshe nga secila festë tjetër e Vitit të Ri në botë, është festa e ndërrimit të viteve pranë Ujëvarës së famshme të Niagarës. Kaq shumë shfaqje zhvillohen në parkun “Queen Victoria”, sa këtë natë mund ta quajmë pa frikë, natën më të ngarkuar të vitit në Niagara. Muzikë live, dy seri fishekzjarrësh (një në orën 21:00 për fëmijët dhe një në mesnatë), si dhe 30,000 persona të cilët i urojnë njëri-tjetrit Vitin e Ri! Pjesa më e mirë e kësaj feste? Çdo gjë është falas!
Festimet fillojnë në orën 20:00 në parkun “Queen Victoria”, me muzikë dhe aktivitete të ndryshme. Nëse nuk dëshironi të ngrini nga i ftohti në klimën e ftohtë të Kanadasë, kini parasysh se këtu ka mjaft opsione të tjera. Casino Niagara dhe Niagara Fallsview Casino Resort ofrojnë dëfrim e zbavitje për të rinjtë në moshë e të rinjtë në shpirt, ndërsa familjet që nuk dëshirojnë të bëjnë pjesë në turmat e parkut “Queen Victoria”, mund të drejtohen në “Clifton Hill”, një park dëfrimesh me aktivitete për të gjithë njerëzit të të gjitha moshave.
9. Las Vegas, NV, SHBA
Një libër i tërë mund të shkruhet rreth opsioneve të dëfrimit të cilat ju presin në qytetin më të famshëm në botë të dëfrimit, Las Vegas. Megjithëse në Vegas festohet në mënyrë të jashtëzakonshme çdo eveniment festiv, nata e Vitit të Ri ofron mënyrën më interesante për të festuar. Rruga kryesore mbyllet për automjetet dhe mungesa e trafikut mundëson kalimtarët të ecin e të shohin fishekzjarrët e mesnatës, të cilat shpërthejnë prej çative të shtatë hoteleve dhe kazinove të ndryshme. Përveç festës së rrugës, klubet dhe kazinotë, ofrojnë qindra festa dhe aktivitete për të gjithë njerëzit.
Të gjitha klubet dhe baret e qytetit kanë plane speciale për natën e ndërrimit të vitit dhe ka koncerte dhe shfaqje të pafundme në të gjithë qytetin, me artistë dhe këngëtarë të shquar. Por, festa më e madhe e Las Vegasit gjendet në rrugë. Një nga gjërat që duhet të keni parasysh nëse festoni në rrugë, është se kazinotë mbyllin dyert për ata që nuk janë të ftuar, dhe pas shpërthimit të fishekzjarrëve është një luftë e vërtetë të hysh në ndonjë bar apo klub nate.
10. Nju Jork, SHBA
Asnjë listë e vendeve më të mira në botë nuk do të ishte e plotë pa përfshirjen e qytetit të Nju Jorkut. Një nga festimet më të mëdha të botës ka parë topin gjigant në Times Square për më shumë se 100 vjet. Më shumë se 1 milion njerëz ndjekin këtë eveniment, falas, dhe më shumë se 1 milion të tjerë shohin nga televizori se si 1 ton ëmbëlsira do të hidhen mbi qytet në mesnatë. Nëse nuk preferoni të përfshiheni në turma gjigante, në Nju Jork gjenden vende të tjera fantastike ku mund të kaloni festën e ndërrimit të viteve. Me përzgjedhjen më të madhe të restoranteve dhe bareve në planetin tonë, është e sigurt që do të festoni sipas dëshirës e stilit tuaj, në qytetin e mrekullueshëm amerikan. Shumica e njerëzve që vijnë të festojnë në Nju Jork, dëshirojnë të festojnë vetëm në një vend, Times Square. Ky eveniment sjell turma të mëdha njerëzish nga Amerika dhe e gjithë bota, kështu që është shumë e rëndësishme të planifikoni para se të vini këtu. Për të dëshmuar evenimentin historik në mesnatë, është e nevojshme të zini vend që pasdite, përndryshe nuk do mund të çani në turmat masive të njerëzve të tjerë. Këtu nuk lejohen çantat e shpinës apo alkooli, kështu që nëse jeni adhurues të alkoolit, përpiquni të prenotoni në ndonjë bar, restorant apo hotel që organizon mbrëmje festive. Nëse jeni duke qëndruar në Manhatan, ka shumë hotele dhe restorante prej ku mund të shikohet topi i famshëm. Qyteti i Nju Jorkut ofron diçka për këdo, prandaj mos e humbisni rastin ta përjetoni festën e bukur në këtë vend fantastik.