Skuadra e Kolnit, ku luan edhe mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj ia ka prishur një bast trajnerit italian, Carlo Ancelotti.

Trajneri i Bayern Munichut para ndeshjes së skuadrës së tij ndaj Kolnit deklaroi se për çdo pikë të fituar në këtë ndeshje, do të pinte nga një birrë. Ai shprehej optimist se skuadra e tij do të merrte pikët e plota nga kjo ndeshje, duke thënë se dëshiron të pinte tre birra pas kësaj ndeshje.
“Do të përpiqem të pi tri birra, nëse marrim tri pikët ndaj Kolnit. Pra, për çdo pikë të marrë do konsumoj një birrë. Ndoshta i bëjë dhe katër”, ka deklaruar Ancelotti para ndeshjes.
Megjithatë, Bayerni i Ancelottit nuk arriti të marrë më shumë se një pikë ndaj Kolnit të Mavrajt, duke barazuar në 1:1. Ky ishte barazimi i parë i Bayernit në Bundesligë këtë sezon, pas pesë fitoreve radhazi.
Momentalisht, rajoni i Bavarisë në Gjermani është duke festuar festën e birrës, e njohur si OktoberFest. /Insajderi.com