Rashica, Rrahmani dhe Ujkani: U ndëshkuam nga gabimet tona

Rashica, Rrahmani dhe Ujkani: U ndëshkuam nga gabimet tona

Të dëshpëruar nga disfata e thellë 3-0 përballë Ukrainës, tre ish-kuqezinjtë, që tashmë kanë zgjedhur të përfaqësojnë Kosovën në kualifikimet për kupën e botës “Rusi 2018”, Milot Rashica, Amir Rrahmani dhe Saimir Ujkani kanë komentuar ndjesinë pas humbjes së dytë në vetëm tre ditë.

Një disfatë, sipas tyre, e pësuar për shkak të gabimeve dhe për arsye të mos finalizimit të rasteve që kishin në dispozicion, njofton Telesport.

“Po na mungon finalizimi i golave ndërkohë që u ndëshkuam dhe pësuam nga kundërsulmet e kundërshtarit. Gjithsesi ne patëm përsëri raste dhe bëmë lojë të mirë. Na mungoi fati. Nuk kemi shënuar, mirëpo nuk është se nuk kemi pasur raste, ka thënë Milot Rashica.

Ndërsa Amir Rrahmani ka thënë se “pësuam gola pikërisht kur ne ishim në momentet më të mira. Për ta pasur më të lehtë në të ardhmen, ne duhet të shënojmë të parët. Ne kishim raste për të shënuar, por nuk e di, ne jemi të pafat”.

Ndërkohë Ujkani u shpreh se “të gjithë e dimë që kemi mundur të bëjmë më shumë, të rikuperojmë rezultatin. Ky ekip i ri duhet të punojë dhe të ketë guxim, dhe këto gabime të na shërbejnë për të ardhmen”./Insajderi.com