Ministrat që Haradinaj i shkarkoi nga kabineti i tij

Shkruan: Ermir Bujupaj

Ministrat që Haradinaj i shkarkoi nga kabineti i tij

Qeveria e Ramush Haradinajt deri më tani është përballur me lëkundje e sfida të ndryshme. Një ndër to është ndërrimi i shpeshtë i ministrave.

Insajderi.com sjell listën e të gjithë ministrave të Qeverisë Haradinaj që deri më tani, janë shkarkuar nga pozita e tyre.

Që nga emërimi i Ramush Haradinajt si kryeministër i Kosovës në shtator të vitit 2017, kjo Qeveri ka shkarkuar gjithsej 6 ministra.

I pari që u detyrua ta lirojë këtë pozitë ishte Flamur Sefaj, ministër i Punëve të Brendshme.

Me 30 mars 2018, Sefaj u shkarkua nga detyra e ministrit të Punëve të Brendshme pas rastit të ekstradimit të gjashtë gylenistëve për në Turqi, operacion i cili u krye pa dijeninë e kryeministrit Haradinaj.

Nuk shkoi shumë, e në Prill të vitit 2018, Bejtush Gashi erdhi në këtë pozitë. Ani pse gjatë mandatit të Gashit u kryen disa operacione policore, me të, nuk u nda i kënaqur i pari i qeverisë.

Me 15 tetor, Haradinaj e shkarkoi edhe Gashin duke u bërë kështu ministri i dytë i kësaj ministrie që shkarkohet.

Në vend të tij, erdhi Ekrem Mustafa.

Ministrinë e la edhe Albena Reshitaj, ish-ministre e Ambientit. Me 1 gusht, Reshitaj përmes Facebook, ofroi dorëheqjen dhe sipas saj, arsyet e largimit ishin personale. Në vendin e saj erdhi Fatmir Matoshi nga partia e Behgjet Pacollit, AKR.

5 shtatori ishte fatkeq edhe për Bajram Hasanin, ministrin e Tregtisë dhe Industrisë. Ky u shkarkua nga kryetari i partisë së tij, Fatmir Limaj. Arsyetimi i Limajt ishte se shkarkimi kishte ndodhur pas disa lëvizjeve që u bënë brenda partisë. Vendin e Hasanit e zuri Endrit Shala.

Vazhda e shkarkimeve vazhdoi edhe më tutje. Me 2 shkurt 2019, nga karriga e ministrit të Bujqësisë u largua Nenad Rikallo nga komuniteti serb.

Shkarkimi i këtij ministri ishte njëri ndër kushtet e Partisë Socialdemokrate për votimin e Projektbuxhetit për vitin 2019. Në vend të Rikallos erdhi një bashkëkombëse e tij, Dijana Zhiviq.

Ndërsa, shkarkimi i fundit brenda kësaj qeverie është ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviq.

Në datën që kujtonte 20 vjetorin e bombardimeve të NATO-s, Teodosijeviq ka bërë një deklaratë diskrikiminuese dhe turpëruese. Ai nuk ka ngurruar t’i quan shqiptarët terroristë, ndërsa masakrën e Reçakut e ka quajtur të trilluar.

Si pasojë e kësaj deklarate, kryeministri Haradinaj sot ka marrë vendim ta shkarkojë atë nga detyra që i ishte besuar.

“Është e patolerueshme një gjuhë e tillë e urrejtjes nga ministri në fjalë. Është e pakuptimtë se si një deri sot kolegë i yni shprehet me aq injorancë, urrejtje dhe fyerje për viktimat e Reçakut, viktimat e tjera të regjimit të Millosheviçit dhe akceptimin dhe miratimin që ai i bëri terrorit të këtij regjimi. Kjo nuk arsyetohet. Në Qeverinë që unë e drejtoj nuk do të ketë vend për askë që në çfarëdo mënyre fyen të tjerët në bazë etnike, racore, fetare apo tjetër, e as ata që synojnë të akceptojnë politikat e tilla. Vendimi hyn në fuqi menjëherë.” – ka shkruar Haradinaj në Facebook. /Insajderi.com