Izraeli e vë në ankand shkollën që BE-ja ua ndërtoi palestinezëve

Izraeli e vë në ankand shkollën që BE-ja ua ndërtoi palestinezëve

Ministria e Brendshme e Izraelit po planifikon që javën e ardhshme ta organizojë një ankand për shitjen e një shkolle të improvizuar, e cila ishte financuar nga Bashkimi Evropian dhe u kushtohej fëmijëve palestinezë.

Administrata Civile e Izraelit i kishte konfiskuar pjesët e kësaj shkolle në tetor të vitit të kaluar. Dy klasat ishin të gatshme për 49 nxënës palestinezë që vijojnë mësimin nga klasa e parë deri në të gjashtën, në Ibziq të Bregut Perëndimor.

Në një shpallje të publikuar në gazetën izraelite “Maariv” thuhet se procesi i shitjes do të organizohet në zyrat e Administratës Civile të Bregut Perëndimor.

Misioni i Bashkimit Evropian në Jerusalem dhe Ramallah e ka dënuar veprimin e autoriteteve izraelite dhe ka bërë thirrje që kjo strukturë menjëherë të rivendoset në vendin ku ka qenë më herët.

“Secili fëmijë ka të drejtë të ketë qasje në shkollim dhe shtetet janë të obliguara ta mbrojnë, respektojnë dhe përmbushin këtë të drejtë duke u siguruar që shkollat të jenë vende të sigurta për fëmijët”, thuhet në deklaratën e këtij misioni.

Palestinezët kanë autonomi të kufizuar në disa pjesë të Bregut Perëndimor, kryesisht në zona urbane, por Izraeli vazhdon ta mbajë kontrollin e pjesës më të madhe të këtij territori. Më shumë se 400 mijë izraelitë janvë vendosur në Bregun Perëndimor dhe kanë ndërtuar shtëpi në këtë pjesë, shkruan “The Guardian”.