Shqiptari i Beshiktashit që përdori Kosovën për ta joshur Turqinë

Neçip Usyal mund të bëhej futbollisti i parë që do përfaqësonte shqiptarët e Turqisë në përfaqësuesen e Kosovës në futboll, mirëpo anëtari i Beshiktashit përveç deklaratave në medie nuk bëri asnjëherë hap konkret për të luajtur me Kosovën.

Shqiptari i Beshiktashit që përdori Kosovën për ta joshur Turqinë

Mesfushori i Beshiktashit është kontaktuar nga trajneri i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki, i cili i kishte premtuar atij një vend në skuadër.

Madje Bunjaki në një intervistë të publikuar në mediumin turk Karar më 20 maj të këtij viti, kishte thënë se me Uysalin bisedimet kishin mbërritur në fazat finale të saj, “vetëm pritet që të shkojmë në Stamboll për ta finalizuar marrëveshjen me të”.

“Menjëherë pasi UEFA na pranoi, ne e kontaktuam Uysal-in dhe menaxherin e tij. Nexhip ka prejardhje nga Kosova dhe përfaqësuesja e Kosovës dëshiron që t’ia ofrojë atij këtë uniformë. Në bisedimet e para që kemi bërë jemi mjaft optimist”, kishte thënë Bunjaku për mediet turke.

Për gjashtë muajt e ardhshëm Neçip Uysal nuk u përmend fare më nga shtabi teknik i përfaqësueses, raporton Insajderi.

Megjithatë, menaxheri i përfaqësueses së Kosovës, i cili është pjesë e shtabit teknik të Bunjakit, pretendon se Neçip Uysal e përdori Kosovën për tu afruar me Turqinë dhe për ta nxitur trajnerin e saj, Fatih Terim, që t’i bëjë ftesë atij.

I kontaktuar nga Insajderi Shala tha se 25-vjeçari i lindur në Stamboll nuk dëshiron të vijë tek përfaqësuesja e Kosovës, megjithëse deklaroi se kontaktet me menaxherin e futbollistin nuk janë shkëputur ende.

“Uysal na ka thënë që ka një lëndim, dhe na ka thënë me pritë derisa të kthehet prej lëndimit, pastaj i ka rënë entuziazmi dhe duket se nuk dëshiron të vijë. Mendoj se ai po e përdor përfaqësuesen e Kosovës vetëm që të bije në sy të Turqisë”, tha Bajram Shala në një bisedë me Insajderin.

Futbollisti i Beshiktashit ka zhvilluar vetëm një ndeshje me Turqinë. Ai kishte debutuar me përfaqësuesen turke më 20 maj të vitit 2010 në një miqësore të Turqisë ndaj Hondurasit. Ajo ka qen hera e parë dhe e fundit e Uysalit në përfaqësuesen turke.

Ai luan në pozitën e mesfushorit defensiv, mirëpo mund të alternohet shumë lehtë edhe në pozitën e mbrojtësit të qendrës, ndërsa stinorin e kaluar është shpallur kampion i Turqisë me skuadrën e Beshiktashit.

Uysal është 25-vjeçar dhe e ka pranuar vetë se ka prejardhje nga Kosova. Ai luan prej 7 vitesh me skuadrën e madhe turke, Beshiktash. /Insajderi.com

Futbollisti arnaut i Besiktasit do të luajë për Kosovën