Vazhdon rënia e funtit britanik

Vazhdon rënia e funtit britanik

Valuta e Britanisë së Madhe ka pësuar rënie të vlerës në krahasim me valutat e tjera. Besohet se kjo po shkaktohet nga këmbëngulja e kryeministrit të ri për largim nga Bashkimi Evropian pa marrëveshje.

Në Azi, funta britanike të martën u këmbye me 1.21 dollar amerikan ose me 1.09 euro. Ky është niveli më i ulët i vlerës së kësaj monedhe në dy vjetët e fundit.

Sipas kryeministrit të porsazgjedhur të Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ky vend do të largohet me çdo kusht nga Bashkimi Evropian më 31 tetor. Ai ka thënë se këtë proces do ta çojë deri në fund dhe nëse është nevoja, atë do ta bëjë edhe pa marrëveshje me BE-në.

Para referendumit të vitit 2016 për largim nga BE-ja, një funt britanik këmbehej me 1.5 dollar amerikan. Vlera e monedhës shënoi rënie për 2.4 për qind vetëm nga e hëna pasi një zëdhënëse e qeverisë britanike tha se Mbretëria e Bashkuar nuk do të hyjë në bisedime me Evropën pa u shmangur kontrollet kufitare me Irlandën.

Ajo tha se qeveria ka vendosur të veprojë në këtë mënyrë pasi që Bashkimi Evropian nuk është treguar i gatshëm të negociojë për këtë çështje dhe se duhet pritur që në tetor do të ndodhë Brexiti pa marrëveshje, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.