Ministria e jashtme e Rusisë do të dorëzojë notë zyrtare Uashingtonit dhe Berlinit për shkak të “përzierjes së diplomatëve dhe medieve të tyre” në politikën ruse në lidhje me tubimin protestues të ndaluar në Moskë më 03 gusht, ka paralajmëruar zëdhënësja e ministrisë Maria Zakharova.

“Zyrtarisht do të paraqesim notë protestuese në ambasadat në Moskë dhe jo vetëm në ambasada. Mendoj se udhëheqja amerikane do të befasohet kur të sheh se si diplomatët e tyre po përzihen në çështje të brendshme të Rusisë”, ka thënë Zakharova për televizionin rus “Rusia 1”.
Ajo ka përkujtuar në thirrje të panumërta të SHBA Rusisë që të mos përzihet në politikën amerikane. Zakharova ka përmendur se ambasada amerikane në Rusi është përzier në protestë të ndaluar në Moskë më 03 gusht, transmeton TASS.
“Sa i përket shëtitjes së djeshme, ambasada e SHBA është e përzier shumë ngushtë me gjithë këtë”, ka thënë Zakharova.
Sipas fjalëve të saj, ambasada amerikane në Moskë ka publikuar rutën e “të ashtuquajturës shëtitje” dhe se në atë dokument i bëhet thirrje moskovitëve të dalin nëpër rrugë.
“Domethënë, ky plan përmbante pikë për pikë, nga minuta në minutë, kur fillon, kur përfundon dhe kështu me radhë”, ka precizuar Zakharova.
Ajo ka theksuar se, përveç diplomatëve perëndimorë, edhe disa medie janë përpjekur të përzihen në çështje të brendshme të Rusisë, dhe në këtë kuptim e ka përmendur medien gjermane “Deutcshe Welle”./Insajderi.com.