Sipas studimeve, kërkesa për energji elektrike në vitin 2050 do të rritet për 57%. Në vende në tranzicion sikurse Afrika, Lindja e Mesme dhe Azia Juglindore, rritja e numrit të popullsisë dhe kërkesat për rrymë për zhvillimin ekonomik të këtyre vendeve, kanë dyfishuar konsumin e energjisë elektrike.
Sikurse në botë, edhe në Kosovë kërkesa për energji elektrike rritet cdo vit. Në vitin 2018, Kosovarët kanë konsumuar rreth 7% më shumë energji elektrike se sa vitin paraprak. Përkundër kësaj rritjeje, një Kosovar konsumon rreth 2500 kWh energji elektrike, vlerë kjo shumë e vogël krahasuar me mesatarën e konsumit sipas OECD.
Në Kosovë, konsumi vazhdon të jetë më i ulët se në vendet tjera në rajon. Kjo kryesisht për shkak të konsumit të ultë ekonomik dhe prodhues.
Rritja e numrit të popullsisë vlerësohet të jetë ndër faktorët kryesor të rritjes së kërkesës për energji elektrike në botë. Të dhëna të OECD tregojnë se mesatarja e konsumit të energjisë elektrike për person duhet të jetë rreth 8,000 kWh, rrjedhimisht, rritja e numrit të popullsisë do të ndikojë edhe në rritjen e konsumit të energjisë elektrike.
Kjo vlerë është rreth tri herë më e madhe se konsumi në Kosovë për kokë banori.
Energjia është ‘përbërësi kryesor’ i zhvillimit ekonomik. Fabrikat dhe prodhimi vlerësohen të jenë ndër konsumuesit më të mëdhenj të energjisë elektrike. Si rrjedhojë, vlerat e konsumit të energjisë kanë trendin më të lartë të rritjes në vende që pritet të kenë zhvillim të hovshëm ekonomik, për të arritur në nivelin e njejtë të zhvillimit me vendet tjera.
Vetëm në Lindjen e Mesme, kërkesa për energji elektrike do të trefishohet në vitin 2050.
Nevoja për zhvillim industrial dhe ekonomik do të shtyjë një rritje më të shpejtë të kërkesës për energji elektrike edhe në Kosovë. Vetëm për të arritur tek parametrat rajonal të konsumit, Kosovës i duhet të dyfiishojë konsumin e energjisë elektrike për kokë banori.
Mbi 40% e rrymës në Kosovë konsumohet nga konsumatorët industrial dhe komercial. Për të dyfishuar ekonominë, ashtu edhe siç pretendohet, Kosovës i duhet të dyfishojë kapacitetet prodhuese të rrymës, ose të importojë atë nga vendet fqinje.
Vetëm 10 vitet e fundit, Kosova ka importuar mbi gjysmë miliardi euro rrymë, ani pse vendi rangohet i dyti për nga rezervat e thëngjillit në Evropë.
Ndër faktorë tjetër të rëndësishëm që ndikon drejtpërdrejtë në rritjen e konsumit të rrymës është edhe mënyra e jetesës. Cdo ditë e më shumë njerëzit varen nga teknologjia, për të cilën nevojitet rrymë.
Madje edhe veturat elektrike, të cilat tani përdoren cdo ditë e më shumë, nënkuptojnë kursimin e xhepit të qytetarëve por edhe rritje të dukshme të konsumit të energjisë elektrike. Sipas statistikave, një veturë elektrike në vit konsumon 180% më shumë rrymë se një qytetar në Kosovë.