Afganistani zotohet të eliminojë Shtetin Islamik në vend

Presidenti i Afganistanit Ashraf Ghani garantoi se do të eliminojë të gjitha strehët e sigurta të Shtetit Islamik.

Afganistani zotohet të eliminojë Shtetin Islamik në vend

Komentet e tij të hënën, në ditën që shënon 100 vjetorin e pavarësisë së vendit, vijnë pasi vendi i Azisë Jugore po merr veten nga një sulm me bombë gjatë një dasme të shtunën vonë në mbrëmje, ku si pasojë u vranë të paktën 63 persona, përfshirë fëmijë, si dhe u plagosën 183 të tjerë.

Përgjegjësinë për sulmin në Kabul e mori dega afgane e grupit të Shtetit Islamik.

Por Presidenti Ghani tha se edhe Talibanët duhet të mbajnë përgjegjësi sepse vetë sulmet barbare të Talibanëve ndër vite mbi shkolla, xhami dhe vende të tjera publike kanë “krijuar platformën për terroristët e tjerë” për të kryer sulme të pamëshirshme.

Talebanët e dënuan shpërthimin. Një zëdhënës i grupit kryengritës tha se “sulme të tilla barbare, me dashje kundër civilëve përfshirë gra e fëmijë janë të ndaluara dhe të pajustifikueshme”.

Ky është sulmi më i rëndë ndaj civilëve afganë gjatë viteve të fundit. Viktimat ishin kryesisht anëtarë të komunitetit të pakicës shiite Hazara./voa.