Në samitin e G-7ës, udhëheqësit evropianë përballë Presidentit Trump

Në samitin e G-7ës, udhëheqësit evropianë përballë Presidentit Trump

Vendet më të industrializuara të botës, të njohura me emërtimin G-7, kanë filluar sot punimet e samitit të tyre të përvitshëm. Punimet do të zgjasin deri ditën e hënë, në qytetin bregdetar francez Biarritz, i mirënjohur për sportin ujor surfing.

Udhëheqësve të G-7ës nuk u duhet të përballen vetëm me çështje urgjente ekonomike, por edhe me temperamentin e Presidentit amerikan të njohur për pikëpamje anti-globaliste dhe për qëndrime konfrontuese ndaj aleatëve.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, u shpreh përpara zhvillimit të punimeve të samitit se viti i kaluar dëshmoi që “është bërë gjithnjë e më e vështirë të gjejmë gjuhën e përbashkët”. Ai saktësoi se G-7ta nuk do të bjerë në asnjë mënyrë dakort me propozimin e Presidentit amerikan për të rikthyer në tryezë Rusinë. Zoti Tusk gjithashtu tha se nuk do të bashkëpunohet për një dalje të Britanisë nga BE-ja pa marrëveshje, si dhe paralajmëroi se luftërat tregtare do të shkaktojnë dobësimin e besimit mes vendeve të Grupit G-7.

Pasi u mirëprit nga Presidenti francez Macron, Presidenti Trump u shpreh se kanë një miqësi të hershme dhe shumë gjëra të përbashkëta dhe se megjithë devijimet e herëpashershme, miqësia mes tyre vazhdon të mbetet e veçantë.

Sidoqoftë, përpara nisjes të premten nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Trump kërcënoi se do të vendoste tarifa për verat franceze, por gjithashtu tha se pret të ketë bisedime produktive me udhëheqësit botërorë.

“…Sinqerisht nuk dëshiroj që Franca të vendosë taksa ndaj kompanive tona. Shumë e padrejtë. Nëse do të veprojnë kështu, ne do t’i vendosim taksa që nuk i kanë parë kurrë më parë. Kompanitë tona i taksojmë vetë, nuk duhet t’i taksojë Franca”, tha Presidenti Trump.

Samiti i G-7ës në Biarritz do të përfundojë pa një deklaratë të përbashkët. Presidenti francez Emmanuel Macron pati sugjeruar se arsyeja janë mosmarrëveshjet mes Presidentit Trump dhe udhëheqësve të tjerë për çështje kyçe, si Irani dhe ndryshimet klimatike. Do të jetë hera e parë që një samit i G-7ës do të përfundojë pa një deklaratë të përbashkët.