GIZ-i gjerman për 20 vjet në Kosovë dhuroi 600 milionë euro

GIZ-i gjerman për 20 vjet në Kosovë dhuroi 600 milionë euro

Në kuadër të angazhimit 20-vjeçar në Kosovë, Shoqata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), ka prezantuar ndihmën e saj dhe qeverisë gjermane që e kanë bërë për Kosovën në disa fusha, ku janë përfshirë një numër i madh i kompanive publike dhe sektorit privat.

Janë rreth 600 milionë euro që qeveria gjermane i ka ndarë në këto dy dekada të veprimit në Kosovë, duke ndihmuar dhe ngritur sektorët, si: angazhimi dhe punësimi i të rinjve, bashkëpunimi ekonomik, efikasiteti i energjisë, faza e emergjencës dhe rindërtimit në Kosovë, mbështetja e ri – integrimit, përmirësimi i shërbimeve të menaxhimit të mbeturinave, sektori i arsimit bazë, promovimi i turizmit, etj.

Ndihma e qeverisë gjermane për Kosovën ka qenë në fusha dhe institucione të veçanta, duke ndihmuar projektin e ngrohjes qendrore në Prishtinë, ku projekti i Bashkëpunimit Financiar Gjerman (BF), përmes Bankës Gjermane për Rindërtim (KfW) ka mundësuar kyçjen e sistemit të ngrohjes qendrore në Prishtinë me termocentralin Kosova B.

Me këtë termocentrali është shndërruar në termocentral kogjenerimi. Banka Gjermane për Rindërtim (KfW) bashkë me donatorë tjerë mundësuan realizimin e këtij projekti në shumë prej 37 milionë eurosh. Projekti ka përfunduar në vitin 2014, dhe që nga ajo kohë Termokosi ka ofruar shërbime të ngrohjes qendrore bazuar në kogjenerim për mbi 63 mijë klientë të kyçur në rrjet.

Ndikimi pozitiv i këtij projekti në kushtet jetësore dhe ambient është i paprecedent. Për herë të parë pas 30 vitesh shërbimi i ngrohjes qendrore ofrohet pa ndërprerje 24/7 gjatë tërë dimrit dhe me kosto shumë më të ulët. Për më tepër, duke mos djegur mazut për të operuar sistemin e ngrohjes, janë arritur kursime të CO2 prej 80 mijë ton/vit.

Qeveria gjermane, ndër të tjera, ka mbështetur edhe projektin e Fabrikës së Ujërave të Zeza në Prizren, i cili do të ketë kapacitet për 50 mijë banorë. Projekti përmban edhe komponente tjera siç janë: ndërtimi i fabrikës së re të ujërave të zeza, ndërtimi i kolektorit të ri dhe rehabilitimi i kolektorit të vjetër në qytet.

Më tutje, projekti përmban masa për rehabilitimin e rrjetit të ujërave të zeza në pikat kritike në qytetin e Prizrenit. Kostoja totale, të vlerësuara, të projektit arrijnë afërsisht 22.5 milionë euro. Për të ulur koston e prodhimit të ujit KfW është duke implementuar projekt shtesë të qeverisë gjermane me fond rajonal për efikasitetin e energjisë. Projekti është 2.5 milionë euro grant. Ndërtimi i tubit të ri do të ndryshonte sistemin nga pompimi në gravitet të zonës së caktuar në qytet.

Një projekt tjetër ku janë investuar mjete të konsiderueshme nga ana e KfW është projekti i ujësjellësit dhe kanalizimit në Prishtinë, ndërmarrje e cila ishte ballafaquar më probleme të mëdha të furnizimit të qytetarëve dhe bizneseve me ujë të pijshëm.

Për shkak të një infrastrukture  të përkeqësuar me humbje të mëdha të ujit dhe disa periudha të thatësisë që kishin lënë rezerva uji vetëm për tre muaj, furnizimi me ujë për qytetarët ishte kufizuar në 4 deri në 12 orë në ditë.