Trump thotë se hapi i parë kundër Iranit është rritja e sanksioneve

Presidenti i SHBA Donald Trump u tha gazetarëve të mërkurën se ai do të japë më shumë hollësi rreth rritjes së sanksioneve amerikane ndaj Iranit brenda 48 orësh. Më herët Trump njoftoi në Twitter se kishte urdhëruar sekretarin e Thesarit Stiven Mnuchin që të "rrisë ndjeshëm sanksionet" e vendosura ndaj Iranit, në mesin e tensioneve të përshkallëzuara mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Trump thotë se hapi i parë kundër Iranit është rritja e sanksioneve

Duke folur në Los Anxhelos, presidenti Trump tha se mendimi i tij për Iranin nuk ka ndryshuar, por nuk pranoi të japë detaje për hapat e pritshëm.

Ai u tha gazetarëve se alternativa ekstreme pas sulmeve të fundjavës kundër objekteve të naftës në Arabinë Saudite do të ishte lufta, por se kishte edhe mundësi të tjera.

Komentet e presidentit vijnë ndërsa sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo po viziton Riadit për të diskutuar me zyrtarët sauditë rreth sulmit ndaj objekteve të naftës të Arabisë Saudite që zyrtarët e amerikanë besojnë se e kishte origjinën nga Irani. Përpara udhëtimit të diplomatit të lartë amerikan zëvendëspresidenti Mike Pence tha se Pompeo do të diskutojë rreth “përgjigjes së Uashingtonit” ndaj sulmit.

Të mërkurën në një postim në Twitter ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif akuzoi Presidentin Donald Trump për përshkallëzim të presionit ekonomik mbi iranianët e thjeshtë.

Ndërkohë të mërkurën ministria Saudite e Mbrojtjes mbajti një konferencë për shtyp, duke shfaqur publikisht mbeturina të dronëve e raketave, për të cilat tha se ishin dëshmia “e pamohueshme” e agresionit iranian. Zëdhënësi i ministrisë tha se ishin përdorur gjithsej 25 dronë e raketa në sulmin që siç tha ai kishte nisur nga Irani dhe jo Jemeni.

Rebelët Houthi në Jemen, që mbështeten nga Irani, kanë marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin e së shtunës, i cili shkatërroi gjysmën e prodhimit të naftës të Arabisë Saudite. Por sipas zyrtarëve amerikanë provat në dispozicion tregojnë se kjo nuk është e mundur.

Të tjerë zyrtarë amerikanë thonë se provat që tashmë janë mbledhur janë përfundimtare dhe dëshmojnë se Irani ishte autor i sulmit.

Zyrtarë të paidentifikuar i thanë rrjetit televiziv NBC të martën se më shumë se 20 dronë e raketa të përdorura gjatë sulmit ndaj objekteve të naftës saudite, ishin lëshuar nga Irani.

Zyrtarë të tjerë i thanë rrjetit televiziv CBS se të paktën një nga raketat kaloi nëpër hapësirën ajrore të Kuvajtit ndërsa udhëtonte në jug, drejt Arabisë Saudite. Agjencia e lajmeve Reuters citonte disa zyrtarë që thonë se sulmet e kishin origjinën në jugperëndim të Iranit.