
Kompania ajrore, Adria Airways, ka njoftuar se me 24 dhe 25 shtator do të ndalojë shumicën e fluturimeve.
Ky pushim përfshinë të gjitha fluturimet e saj në aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, e që arsyeja e pezullimit të fluturimeve thonë se është për shkak të mungesës së fondeve.
Adria Airways ka këshilluar udhëtarët që të shikojnë paraprakishtë transportuesin nëse është kjo kompani ajrore, në mënyrë që të kontaktojnë zyrat e shitjes të kësaj kompanie, gjithashtu njofton të gjithë udhëtarët dhe partnerët të ndjekin njoftimet e tyre në internet në www.adria.si.
Autoriteti i Aviacionit Civil i Republikës së Kosovës është duke e monitoruar situatën e krijuar rreth operimit të kësaj kompanie dhe do t’ju informoj për zhvillimet e reja, njofton Zyra për Komunikim me Publikun e Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës.
Ndryshe, është e paqartë se çfarë do të ndodhë me fluturimet e Adria Airways pas kësaj periudhe dy-ditore të pezullimit.
Bisedimet në lidhje me një investim për të shpëtuar operacionet e Adria Airways kishin dështuar. Kërkesa e kompanisë ajrore për një kredi shpëtimi prej katër milionë eurosh nga qeveria sllovene u refuzua.
“Adria Airways” është në këtë pikë duke kërkuar intensivisht zgjidhje në bashkëpunim me investitorin e mundshëm. Qëllimi është që Adria Airways të fluturojë përsëri dhe se ndërprerja e operimeve është me të vërtetë e përkohshme”, thuhet në një deklaratë për media të kompanisë ajrore sllovene.