
Kanë mbetur edhe pak ditë deri në fillim të edicionit të ri në Superligë, me skuadrën e Sigal Prishtinës që i ka parapri stinorit të ri me triumfin në Superkupën e Kosovës ndaj Rahovecit me rezultatin 91-73.
Para fitimit të Kupës, Sigal Prishtina nuk arriti të kalojë në rrethin tjetër të Ligës së Kampionëve duke u mposhtur nga Legia Warszawa në dy takime me rezultat shumë të ngushtë.
Në lidhje me edicionin e ri dhe synimet, për Insportin ka folur ndihmës trajneri i bardh e kaltërve, Andin Rashica.
Andin Rashica u ndal në suksesin e kryeqytetasve në Superkupë duke thënë që kjo kupë i ka motivuar për kampionatin e ri në Superligë.
“Edhe pse nuk u kualifikuam tutje për Ligën e Kampionëve, fitimi i Superkupës ishte një motiv shtesë për ndeshjet në vazhdim, te cilat nuk do të jenë të lehta ku dihet se do udhëtojmë sërish në Rahovec për të zhvilluar xhiron e parë të kampionatit, pastaj do fillojmë të përgatitemi për kundërshtaret e ardhshëm në Fiba Europe Cup. Sigal Prishtina respekton çdo kundërshtarë me të cilin përballet dhe do të përgatitemi në mënyrën më të mirë, për secilën ndeshje”.
Rashica është i kënaqur me ekipin aktual që e posedojnë dhe shpreson që basketbollistët të vazhdojnë me punën që e kanë bërë deri më sot.
“Me ekipin deri tash jemi mjaftë të kënaqur, angazhimi i tyre dhe disiplina në stërvitje është në nivelin e duhur dhe shpresoj që do të vazhdojnë me ketë ecuri edhe në vazhdim të kampionatit. E mira e gjithë kësaj është që kemi ruajtur fondin e lojtarëve vendor të cilët kanë barrën kryesore në ekip”.
Synimet e Prishtinës do të jenë mbrojtja e titullit dhe e Kupës, derisa FIBA Europe Cup, Rashica e cilëson si të vështirë këtë vit.
“Synimet e Sigal Prishtinës si çdo sezon janë mbrojtja e titullit dhe e Kupës. Kurse në FIBA Europe Cup do jetë shumë e vështirë të përsëritet suksesi i vitit të kaluar, mirëpo çdo ndeshje në grup do mundohemi të përgatitemi dhe të japim maksimumin. Shpresojmë që do kemi përkrahjen e tifozëve tanë të flakët Plisave”, e mbylli deklaratën e tij Andin Rashica për Insportin.
Takimin e parë kampional, Sigal Prishtina e luan si mysafire e Rahovecit.