Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy tha të enjten se nuk i ishte bërë “shantazh” në telefonatën e korrikut me Presidentin amerikan Donald Trump që është në qendër të një hetimi për procedurën e shkarkimit, ndërmarrë nga Dhoma e Përfaqësuesve e drejtuar nga demokratët.

Zelenskiy u tha gazetarëve se nuk ishte në dijeni në kohën e telefonatës se Trump kishte ndërmarrë hapa për të bllokuar dhënien qindra milionë dollarëve në ndihmë ushtarake për Ukrainën.
Presidenti Trump thotë se e mori vendimin për të nxitur Ukrainën që të luftonte korrupsionin. Demokratët akuzojnë udhëheqësin amerikan se ngriu ndihmën për t’i bërë presion administratës së Zelenskiyt për të hetuar kandidatin demokrat presidencial, Joe Biden dhe djalin e tij, Hunter.
Zelenskiy tha të enjten se synimi i tij gjatë telefonatës ishte të siguronte një takim me zotin Trump dhe ta bindte që të ndryshonte retorikën e tij publike për Ukrainën si vend i korruptuar.
Sipas ankesës së një informatori dhe transkriptit të telefonatës të zbardhur nga Shtëpia e Bardhë, zoti Trump e nxiti zotin Zeklenskiy të hapte një hetim për zotin Biden.
Tre komisionet kryesore të Dhomës së Përfaqësuesve që po kryejnë hetime për procedurën e shkarkimit, bënë publike një sërë mesazhesh telefonike që ua kishte vënë në dispozicion ish-i dërguari i posaçëm amerikan në Ukrainë, Kurt Volker, përfshirë një që Volker ia kishte dërguar këshilltarit të presidentit Zelenskiy, Andrey Yermak ku thuhej “Do të përcaktojmë një datë për një vizitë në Uashington” nëse zoti Zelenskiy “e bind presidentin Trump se do të bëjë hetim.”
Volker u dha dëshmi me dyer të mbyllura Komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin, Marrëdhëniet me Jashtë dhe Mbikqyrjen javën e kaluar. Departamenti i Shtetit ia ndaloi ambasadorit amerikan në BE, Gordon Sondland që të dëshmonte të martën dhe nuk është e sigurt nëse komisionet do arrijnë ta mbajnë dëshminë e planifikuar për të premten me ish-ambasadoren në Ukrainë, Marie Yovanovitch.
Trump ka mohuar të ketë bërë ndonjë gabim dhe e ka përshkruar telefonatën si “të përkryer”.