Gjykata Themelore në Prishtinë, të hënën, i ka dënuar me nga 300 euro gjobë të akuzuarit për falsifikim të dokumentit, Shkurta Vojvoda dhe Agron Peci.
Ky aktgjykim është shpallur nga gjykatësja Lumnije Krasniqi, pas aprovimit të marrëveshjes për pranimin e fajësisë, që të akuzuarit kanë me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Të akuzuarit janë obliguar që të paguajnë dhe shpenzimet procedurale dhe atë shumën prej 30 euro në emër të paushallit gjyqësor si dhe 30 euro të tjera për kompensimin e viktimave të krimit.
Pala e pakënaqur ndaj këtij vendimi ka të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në afat prej 15 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së këtij aktgjykimi.
Para shpalljes së aktgjykimit, në këtë seancë, gjykata ka shqyrtuar marrëveshjen për pranim fajësie të lidhur mes palëve më 16 prill 2019.
Prokurori i rastit, Dren Paca i ka propozuar gjykatës aprovimin e kësaj marrëveshje me arsyetimin se ajo është përpiluar sipas dispozitave ligjore dhe është nënshkruar me vullnetin e lirë të palëve.
Prokurori Paca tha se sipas kësaj marrëveshje, organi i akuzë ka hequr dorë nga ushtrimi i ankesës ndaj aktgjykimit.
“Prokurorja e çështjes ka filluar negociatat me të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre për arritjen e marrëveshjes për pranim të fajësisë e cila ka rezultuar me nënshkrimin e kësaj marrëveshje më 16 prill 2019, ku të pandehurit janë pajtuar që të pranojnë pranimin e fajësisë për falsifikim të dokumentit, ndërsa prokurori që të mos ushtrojë ankesë lidhur me sanksioni penal që do t’iu shqiptohet të akuzuarve”, ka thënë prokurori.
Ai ka deklaruar se dënimi me gjobë ndaj të akuzuarve është marrë duke parasysh rrethanat renduese dhe ato lehtësuese.
“Mbetemi pranë marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë. Ky dënim është marrë duke pasur parasysh sikurse rrethanat renduese dhe ato lehtësuese, si rrethanë rënduese rrezikshmëria shoqërore e veprës, ndërsa si rrethanë lehtësuese fakti që të pandehurit për herë të parë kanë rënë ndesh me ligjin dhe kanë premtuar se në të ardhmen më nuk do të kryejnë vepra penale të tjera”, tha prokurori Paca.
Edhe mbrojtësit e të akuzuarve Vojvoda dhe Peci, avokatët Bedrie Rexhepi dhe Argjent Tigani, i kanë propozuar gjykatës që të aprovojë këtë marrëveshje, si dhe kanë shtuar se mbeten pranë dënimit që është përcaktuar në këtë marrëveshje.
Deklarimet e mbrojtësve të tyre morën mbështetjen edhe të akuzuarve Vojvoda dhe Peci.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 9 qershor 2017, ka ngritur aktakuzë ndaj Shkurta Vojvoda dhe Agron Peci, të cilët i akuzon se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “falsifikim i dokumentit”, nga neni 398 par.1 lidhur me neni 31 të KPRK-së.
Siç thuhet në aktakuzë, diku në prill-maj të vitit 2016, e akuzuara Shkurte Vojvoda, i ka dhënë 50 euro dhe kopjen e letërnjoftimit të akuzuarit Agron Peci, me qëllim që t’ia përpilojë certifikatën e veteranëve të luftës edhe pse e ka ditur se nuk i takon një status i tillë.
Prokuroria pretendon se më pastaj, i akuzuari Peci, e ka përdorur dokumentin e lëshuar nga Qeveria e Kosovës, në emër të akuzuarës Vojvoda, edhe pse e ka ditur se është i falsifikuar, ashtu që me 7 mars 2017, në objektin e Qeverisë në zyrat e veteranëve të luftës e ka dorëzuar kopjen e kësaj certifikate, me qëllim të fitimit të statusit të veteranit për të akuzuarën Vojvoda.