Janë numëruar më shumë se gjysma e votave, të cilat KQZ kishte marrë vendim t’i çojë në rinumërim, pas problemeve me formularë. Pas rinumërimit, do të numërohen votat nga diaspora dhe votat me kusht, e më pastaj do bëhet certifikimi i rezultateve.
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), janë rinumëruar 63% e kutive që me vendim të KQZ-së kanë shkuar në rinumërim dhe pritet që ky proces të përmbyllet nesër.
Burim Ahmetaj koordinator në QNR, tha se shumë shpejt mund të kemi certifikim të rezultateve, pasi të numërohen votat me kusht, ato nga diaspora dhe të personave me nevoja të veçanta.
“Kontrollimi i votave me kusht dhe numërimi i tyre. Kontrollimi i votave me nevoja të veçanta si dhe kontrollimi i të gjitha votave për subjekte politike dhe kandidatëve. Mund të themi se të gjitha këto procese nuk mund të kryhen brenda disa ditëve. Mund të na nevojitet më shumë se një javë”, thotë për RTV Dukagjinin, Burim Ahmetaj.
Njohësi i çështjeve politike, Arton Demhasaj, tha se nëse nuk do të ketë ndonjë rinumërim tjerë, rezultati i zgjedhjeve mund të certifikohet javën e ardhshme, përcjell Telegrafi.
“Në rast se nuk ka ndonjë vendim të KQZ-së për të dërguar në rinumërim edhe vendvotime tjera në rinumërim, atëherë me gjasë ky rinumërimi që ka filluar mund të përfundojë shumë shpejt. Pastaj do të përfundoj edhe numërimi i votave nga diaspora dhe personave me nevoja të veçanta brenda kësaj jave. Rrjeshimisht nga jave e ardhshme mund të kemi certifikim të rezultatit të zgjedhjeve”, deklaroi Arton Demhasaj.
Në Qendrën e Numërimit, tani më kanë arritur edhe votat e ardhura nga diaspora, kjo pas vendimit të KQZ-së, që të largohen nga hapësirat e qendrës së verifikimit, pas dyshimeve se disa zyrtarë janë helmuar, gjatë verifikimit të votave nga Serbia.