Miliardat e Trustit dhe të privatizimit të pashfrytëzueshme në Kosovë

Miliardat e Trustit dhe të privatizimit të pashfrytëzueshme në Kosovë

Paratë e grumbulluara në Fondin e Trustit të Kursimeve Pensionale dhe ato nga procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, llogaritet që kanë arritur në vlerën prej 2.7 miliardë euro.

Në vazhdimësi, subjektet politike dhe ekspertët e kanë shtruar nevojën që këto para të vihen në funksion të investimeve dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

Të dy fondet, vazhdojnë të mbahen qoftë jashtë territorit të Kosovës apo në formën e depozitave brenda Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Aktualisht, janë rreth 1.9 miliard euro kursime të qytetarëve në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Nga kjo shumë, 85 për qind e mjeteve janë të investuara në tregjet e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan REL.

Kurse, Agjencia Kosovare e Privatizimit, ka grumbulluar rreth 746 milionë euro vetëm nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore.

Ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se kthimi apo vënia në qarkullim e këtyre mjeteve në Kosovë shtron fillimisht nevojën e ndryshimeve ligjore.

Por, njëkohësisht edhe tërhiqet vërejtja se shfrytëzimi i mjeteve të Trustit të Pensioneve dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit, i ka edhe rreziqet e veta.

Në analizat e mëhershme, ekspertët e çështjeve ekonomike kishin deklaruar se qarkullimi i këtyre mjeteve në tregun e Kosovës duhet të realizohet, apo të paktën duhet të vihet në qarkullim një pjesë e mjeteve të Trustit të Kursimeve Pensionale./GazetaInsajderi/