Miliarderi Bloomberg mendon të hyjë në garë për kandidatin presidencial të demokratëve

Miliarderi Michael Bloomberg është duke menduar të hyjë në garë për kandidatin presidencial të Partisë Demokratike të SHBA, gjë që do të çrregullonte garën në mes demokratëve vetëm tre muaj para zgjedhjeve të para për nominim.

Miliarderi Bloomberg mendon të hyjë në garë për kandidatin presidencial të demokratëve

“Ish kryebashkiaku i Nju Jorkut është i brengosur sepse konsideron se grupi aktual i kandidatëve nuk është mjaft i mirë ta mposhtë Donald Trumpin në zgjedhjet e vitit 2020”, kanë thënë këshilltarët e tij, transmeton BBC.

Për momentin janë gjithsej 17 demokratë në garë për tu bërë kandidat i Partisë Demokratike.

Bloomberg, 77 vjeç ende nuk ka vendosur përfundimisht se a do të hyjë në garë, kanë thënë këshilltarët e tij, por kanë shtuar se është duke i ndërmarrë hapat për t’i dorëzuar letrat këtë javë për pjesëmarrje në garë në zgjedhjet brenda partiake në shtetin amerikan Alabama. Këto zgjedhje do të mbahen më 03 mars të vitit të ardhshëm.

Për momentin ish zëvendëspresidenti i SHBA Joe Biden, senatorja e Masaçusetsit Elizabeth Warren dhe senatori nga Vermonti Bernie Sanders janë duke udhëhequr në mes pretendentëve të demokratëve për kandidatin presidencial të partisë./Insajderi.com.