Challandes flet për ndeshjen me Maqedoninë e Veriut: Ja gjasat për fitore

Challandes flet për ndeshjen me Maqedoninë e Veriut: Ja gjasat për fitore

Bernard Challandes i ka komentuar gjasat e Kosovës për kualifikim në kampionatin evropian ‘Euro 2020’.

Kombëtarja e Kosovës do të ketë mundësi kualifikimi përmes fazës së play-offit, ku do të shkojë si fituese e grupit të saj në Ligën D të Nations League, shkruan Insporti

Në ‘Info Magazine’, Challandes ka thënë se që prej momentit kur përfundoi ndeshja me Anglinë, mendja e tij është vetëm te përballja me Maqedoninë e Veriut.

“Dardanët” do të luajnë si mysafirë të Maqedonisë së Veriut në gjysmëfinalen e play-offit. Në rast fitoreje, do të përballeshin me fituesin e gjysmëfinales tjetër, Gjeorgji – Bjellorusi, në finale.

Kosova duhet t’i fitojë këto dy ndeshje për ta siguruar një ‘biletë’ për në kampionatin evropian.

“Më duhet të them se deri sot mendjen nuk e kam pasur te ndeshja me Maqedoninë e Veriut”, deklaroi Challandes.

“Nuk kam dashur t’ia jap idenë ekipit se rruga për kualifikim drejtpërdrejt ishte e pamundshme”, theksoi ai.

“Dëshironim të luanim dhe atëherë Maqedonia e Veriut ishte një storje tjetër. Tash nga dje, nga ora 20:00 e kam mendjen te Maqedonia e Veriut”, potencoi Challandes.

Ai tha se nuk e njeh mirë përfaqësuesen e Maqedonisë, por tha se do ta nisë menjëherë punën për këtë ndeshje.

“Është gjithmonë e njëjta për mua, duhet t’i respektojmë të gjitha ekipet. Maqedonia do të jetë një kundërshtar i fortë dhe pres ndeshje të fortë, ne duhet të jemi i gatshëm”, tha Challandes.

“Do të jetë 50-50. Unë nuk i frikësohem Maqedonisë së Veriut asnjëherë, por më duhet ta pranoj se isha pak i frikësuar kundër Anglisë”, theksoi ai.