Ruiz vs Joshua – raporti i plotë me video

Ruiz vs Joshua – raporti i plotë me video

Meçi filloi furishëm dhe Anthony Joshua tregoi se edhe në luftë nga afër është në gjendje të përballet me Andy Ruizin, kurse një goditje me të djathtën e Joshuas shkaktoi çarje të arkadës së Ruizit dhe gjakderdhje të hapur, edhe pse jo serioze, shkuan Insporti.

Në këtë mënyrë boksieri bitanik që nga minutat e parë  bëri që prezenca e tij të ndjehet dhe kundërshtari të vihet nën presion.

Ruiz në këtë meç hyri rreth 20kg më i rëndë se Joshua dhe kur kësaj i shtojmë faktin se është më i shkurtër se kundërshtari, kjo bënte që ai të mbajë qendër të ulët të rëndesës dhe të sulmojë nga afër, nëse Joshua e lëshon gardin ose gabon, raporton Insporti.

Pas rundit të dytë sërish pati nevojë për intervenim mjekësor tek të dy boksierët për shkak të çarjeve të vogla.

Boks shumë më i mirë në aspektin taktik u pa nga Joshua edhe në rundin e tretë, sidomos në minutën e fundit të këtij rundi, kur disa herë e goditi kundërshtarin me kroshe të majtë në kokë dhe trup, duke bërë mjaftueshëm që të mbyllë edhe këtë rund me epërsi në pikë.

Rundi i katërt ishte më i barabartë. Edhe pse Joshua ishte në gjendje të godasë mbi gardin e Ruizit me të majtën për shkak të shtatlartësisë dhe gjatësisë së duarve, Ruiz arriti dy herë afër kundërshtarit dhe goditi rrezikshëm me të djathtën.

Rundet 5, 6 dhe 7 ishin shumë të ngjashme me katër të parat, me atë që Ruiz i pati tri raste të mira që të lansojë goditje shkatërruese me të djathtën, por një herë huqi dhe dy herë Joshua reagoi mirë në mbrojtje, shkruan Insporti.

Në anën tjetër, Joshua vazhdonte ta kontrollonte meçin, duke treguar disiplinë të jashtëzakonshme dhe duke iu përmbajtur taktikës fillestare me shumë përkushtim.

Rundi i tetë ishte më i miri për Ruizin, i cili ishte i frustruar në ring dhe reagoi shumë mirë duke sulmuar nga afër, por nuk e dëmtoi shumë kundërshtarin e tij.

Duke e ditur se është prapa me pikë dhe kur veçse lodhja e kishte bërë të veten pas 9 rundeve, Ruiz pritej që të provonte taktikën“gjithçka ose asgjë” dhe të priste të nokautonte kundërshtarin.

Mirëpo, Joshua nuk i ofroi asnjë mundësi Ruizit, shkëlqyeshëm u mbrojt dhe kjo i mundësoi që të fitojë meçin dhe të kthejë titujt e botës në versionet IBF, WBO dhe WBA.

Me këtë fitore Joshua tashmë ka bilanc prej 23 fitoreve dhe vetëm një humbjeje dhe vazhdon të konsiderohet si boksieri më i mirë i kësaj gjenerate.