Erdogan: Athina do të paguaj

Memorandumi mbi mirëkuptimin i cili pretendohet se e definon kufirin detar në mes të Turqisë dhe Libisë po shkakton “brengosje serioze”, thotë shefi i diplomacisë së BE Joseph Borrell.

Erdogan: Athina do të paguaj

Deklarata vjen para takimit të ministrave të jashtëm të BE në Bruksel.

“Është e qartë se ky dokument ka shkaktuar brengosje serioze. Shprehim solidaritet dhe ofrojmë përkrahje për Greqinë dhe Qipron”, ka thënë Borrell dhe ka shtuar se memorandumi është problematik për këto dy vende dhe mund të paraqesë problem për ishujt grekë, transmeton portali grek Karimerini.

Sipas tij, autoritetet e BE po e shqyrtojnë këtë dokument.

“Pres që do të merret një qëndrim pas analizës së përmbajtjes së memorandumit të mirëkuptimit, i cili deri para disa ditësh ishte, jo sekret, por ishte i panjohur, ka thënë Borrell.

Memorandumi, të cilin e ka  miratuar parlamenti turk javën e kaluar, i ka rritur tensionet në mes Turqisë dhe Greqisë, Qipros dhe Egjiptit, për shkak të fërkimeve me rastin e të drejtës për shpime për naftë dhe gaz në Mesdheun Lindor.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar sot se vendimi i Greqisë për ta dëbuar ambasadorin e Libisë për shkak të marrëveshjes të cilën e kanë nënshkruar Tripoli dhe Ankaraja mbi kufijtë detarë, “është skandal ndërkombëtarë dhe se Athina do të paguaj çmimin e këtij veprimi ndërkombëtar”./Insajderi.com.