Mbi 20 gazetarë nga Gjermania, Ballkani Perëndimor dhe vendet anëtare të BE-së, në kuadër të projektit “Balkan Booster”, kanë marrë pjesë në debatin e organizuar nga Fakulteti i Medias dhe Komunikimit në UBT dhe Radio Deutsche Welle, me temë diskutimi: “Degradimi i mjedisit dhe qasja e medias ndaj mjedisit”.
Projekti mblodhi bashkë gazetarë vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët gjatë këtij debati folën gjerësisht për raportimet e mediave për ndotjen e ajrit e ujit, riciklimin e mbeturinave, ndërtimin e hidrocentraleve, përdorimin e burimeve natyrore dhe çështje që kanë të bëjnë me mjedisin në vendet rajonale.
Pjesë e këtij debati ishte edhe drejtoresha e Departamentit të Programeve për Evropë në Deutsche Welle, Adelheid Feilcke, e cila theksoi se gazetarët duhet të tërheqin vëmendje përmes raportimeve mediale, për problemet mjedisore, por edhe të tregojnë zgjidhje të mundshme.
Ajo falënderoi UBT-në që mundësoi dhe mbështeti organizimin e debatit, teksa shtoi se gjeneratat e ardhshme të gazetarëve duhet të motivohen për të raportuar për problemet mjedisore.
“Kemi bashkëpunim me UBT-në, dhe jemi mirënjohës që na mundësuan ardhjen në Kosovë. Këtu kemi kolegë nga Ballkani dhe shtete tjera, por e mira e këtij projekti është se gazetarët do të prezantojmë përvojat lidhur me raportimet për problemet mjedisore”, tha ajo.
Dekani i Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, Ferid Selimi, theksoi se fakulteti që ai drejton, është një nga departamentet më të kompletuara për studim, ku u ofron gazetarëve të rinj njohuri dhe përgatitje profesionale për raportim edhe në fushën e mjedisit.
Dekani Selimi tha se Deutsche Welle është medium për t’u marrë shembull, pasi, siç tha ai, ishte dritare e informimit dhe raportimit për çështjet që ndodhnin në Kosovë.
“Deutsche Welle është mediumi më i respektuar në Kosovë, sepse ka dhënë provimin për raportim objektiv mbi ngjarjet që karakterizuan vendin dhe në përgjithësi shqiptarët. Besoj që edhe ky debat, do të kontribuojë pa dyshim në raportim të saktë edhe për çështjet mjedisore”, vlerësoi Selimi.
Profesori në Fakultetin Media dhe Komunikim në UBT, Safet Zejnullahu, tha se organizimi i debatit është frymëzues për gazetarët e rinj.
Profesori Zejnullahu theksoi se duhet sensibilizim për ndotjen dhe degradimin e mjedisit.
“Mjedisi nuk mbrohet vetëm me ligj dhe me aksione të ndryshme e vullnetare, por duhet të ketë edhe vetëdijesim të popullatës”, tha ai.
Në kuadër të këtij debati u prezantuan rezultatet e nxjerra nga hulumtimi i profesorit në UBT, Dr.Afrim Syla, më temë: “Degradimi i Mjedisit në Kosovë”, dhe nga hulumtimi i asistentëve, Ejup Gojnovci dhe Anisa Rada, më temë: “Trajtimi i mjedisit nga mediat në Kosovë”.
Profesori Syla, përmes një hulumtimi shterues, paraqiti gjendjen e mjedisit në Kosovë, që është në nivelin për të cilin duhet të shqetësohen të gjithë, edhe institucionet edhe qytetarët.
Ai identifikoi të gjitha burimet kryesore të degradimit të mjedisit, në të gjitha rajonet e Kosovës, si dhe shpjegoi në terma profesionalë dëmet dhe rreziqet tepër të mëdha që paraqiten tash, por që do të jenë edhe më të mëdha, nëse degradimi i mjedisit vazhdon.
Ndërsa profesori Gojnovci, pas një analize shteruese bërë raportimit të medieve në Kosovë për çështje mjedisore, konstatoi se numri i artikujve që trajtojnë tema rreth degradimit të mjedisit, për fat të keq, është ende i vogël dhe jo në nivelin e duhur që kjo temë kërkon.
Pas debatit, drejtoresha e Departamentit të Programeve për Evropë në Deutsche Welle, Adelheid Feilcke, së bashku me gazetarët ndërkombëtarë, vizituan Kampusin Inovativ të UBT-së në Lipjan dhe laboratorët që institucioni i posedon për media të shkruara dhe audiovizuele. Ata panë nga afër edhe Bibliotekën e UBT-së, që është e pasuruar me 250 mijë libra dhe mbi 52 mijë tituj.