Policia italiane ka kumtuar se e ka shpërbërë rrjetin e mafiozëve në Sicili i cili ka shpërdorur disa milionë euro nga fondet evropiane të dedikuara për bujqit.

Në aksionin e kryer sot në mëngjes janë arrestuar 94 persona të grupit mafioz Tortorici, ka kumtuar prokuroria e Mesinës.
Në mes të arrestuarve janë dy liderë të familjeve mafioze, një noter, sipërmarrës dhe zyrtarë publikë të ngarkuar për qasje në këto fonde evropiane.
Prej vitit 2013 mafia nga Tortorici e cila e mban emrin sipas qytetit i cili gjendet në malet Nebrodia në verilindje të ishullit ka shpërdorur gati 10 milionë nga fondet evropiane, lajmëron televizioni publik RAI 24.
Për të arritur deri te mjetet financiare të BE, grupi ka lajmëruar rrejshëm pronësi të tokave të cilat në realitet i takojnë rajonit dhe komuniteteve lokale.
Operacioni është bazuar në bashkëkryerje me të punësuarit të një agjencie të ngarkuar për subvencione bujqësore e cila i ka ndarë fondet evropiane bujqve si dhe qendrave të ngarkuar për ndihmë fshatarëve në kërkesat e tyre për ndihmë.
Gjykatësi Sergio Matroeni ka vlerësuar në aktakuzë se mashtrimi është bazuar në “ndihmën e pakushtëzuar” të punësuarve të cilët kanë pasur dijeni që mafinë ta sjellin deri te qendra e sistemit nervor të financave publike dhe t’i përdorin lëshimet e një kontrolli të dobët.
Në mes të arrestuarve 48 persona janë mbajtur në paraburgim derisa të tjerët gjenden në burgim shtëpiak, ka pretenduar policia./Insajderi.com.