KEDS vendos tri trafo të reja në Stanovc të Vushtrrisë

KEDS vendos tri trafo të reja në Stanovc të Vushtrrisë

Mbi 270 familje të Stanovcit të Vushtrrisë tashmë kanë shërbime shumë më kualitative me energji elektrike.  Kjo, pasi KEDS ka ndërtuar tri trafo të reja për nevojat e banorëve të këtij fshati dhe ka ndërruar të gjitha shtyllat që kanë qenë me përçues të zhveshur, duke vendosur 250 shtylla të reja. Gjithashtu, janë shtrirë rreth 13 km rrjet elektrik në tensionin e ulët dhe të mesëm, kurse lidhjet shtëpiake janë me bërë me kabllo nëntokësore.

Kjo ka bërë që edhe banorët e këtij rajoni t’i ndjenë këto ndryshime, sidomos lagjja Haradinaj që ka 176 familje dhe lagjja Haxhaj me 97 sosh. Këto punime kanë rritur kapacitet energjetike dhe tani tensioni do të jetë stabil dhe banorët e kësaj ane më nuk do të kenë probleme me rrymë për vite të tëra, duke iu larguar edhe rreziku  nga rrjeti i vjetër.

Për Liman Haxhaj, banor i kësaj lagjeje, ka qenë vetëm ëndërr largimi i shtyllave nga oborri.

“Është fakt që po bëhet një punë e madhe. Përpara e kena pas veç andërr me u heq këta shtylla prej oborri. 400 familje jena konë me nji trafo. Po bëhet një mrekulli”, ka thënë ai.

Edhe konsumatori Haki Pronaj, nga lagjja Haradinaj, shprehet të jetë shumë i kënaqur me këto ndryshime në fshatin e tij.

“ Deri tash u konë tmerr. Sa herë fryjke era u nalke rryma. Tri herë na u kanë kput telat përmas shpisë e kanë ra mi garazhë. Tash është krejt në rregull. Tensionin e kena 230 volt. Kena diferencë të madhe me të përparmen”, ka thënë Pronaj.

KEDS  vazhdon me investime në shumë vendbanime të Kosovës për të modernizuar rrjetin elektrik, që është një zotim i kompanisë për të zgjidhur problemet infrastrukturore në distribuimin energjisë elektrike.