Trump publikon planin për Lindje të Afërt, Abbas kategorikisht kundër

Presidenti i SHBA Donald Trump e ka prezantuar planin e tij të shumëpritur paqësor për Lindjen e Afërt i cili bënë thirrje për krijimin e shtetit Palestinë me kryeqytet në pjesët e Jerusalemit Lindor. Ai ka vlerësuar se kjo është mundësi fituese për Izraelin dhe për palestinezët. Presidenti palestinez Mahmod Abbas mbrëmë e ka refuzuar planin.

Trump publikon planin për Lindje të Afërt, Abbas kategorikisht kundër

Trump duke e publikuar planin para të tubuarve në Shtëpi të Bardhë, të cilët e përkrahin Izraelin dhe në prani të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ka përkujtuar se ka bërë shumë për shtetin izraelit, dhe se ka dëshiruar që marrëveshja të jetë e mirë edhe për palestinezët, duke vlerësuar se për ta është mundësia historike ta kenë shtetin e tyre të pavarur.

Me plan më shumë se dyfishohet territori nën kontrollin e palestinezëve në krahasim me territorin e tanishëm, edhe pse gjithashtu pranohet sovraniteti i Izraelit mbi vendbanimeve të mëdha hebraike në Bregun Perëndimor të okupuar.

Presidenti palestinez Mahmod Abbas e ka refuzuar planin paqësor të presidentit Trump i cili e favorizon Izraelin.

“Pas marrëzirave të cilat kemi dëgjuar sot, them njëmijë herë “Jo!” kësaj “Marrëveshjeje të shekullit”, ka thënë Abbas në një konferencë për gazetarë në selinë e tij në Ramallah në Bregun Perëndimor.

Ai ka shpjeguar se palestinezët janë të përkushtuar ta përfundojnë okupimin e Izraelit dhe themelimin e shtetit të tyre me kryeqytet në Jerusalemin Lindor.

“Nuk do të gjunjëzohemi dhe nuk do të dorëzohemi”, ka thënë Abbas duke paralajmëruar rezistencë për planin e presidentit të SHBA Donald Trump me mjete paqësore./Insajderi.com.