Transaksionet e dyshimta të lidhura me Rusinë – fajdetë e “IuteCredit”

Mbi pesë milionë euro të dyshimta kanë hyrë në llogarinë bankare të “Monego”, në Kosovë. “IuteCredit", ndërkaq, ka marrë para me fajde nga 16 persona në Kosovë me kamatë 12 për qind. Vlera e saj është 600 mijë euro. Këto kompani, kanë kërcënuar Insajderin, me ndjekje penale për shkak të raportimit për lidhje të tyre me oligarkë dhe politikanë rusë.

Transaksionet e dyshimta të lidhura me Rusinë – fajdetë e “IuteCredit”

Institucioneve financiare, “Monego”, “IuteCredit” të mbyllura në Kosovë për shkak të rrezikut për sigurinë kombëtare, dhe kompanisë amë të tyre, “Mintos”, nuk u ka pëlqyer hulumtimi i Insajderit, që i lidh ato me politikanë e oligarkë rusë.

Kanë kërcënuar autorin dhe Insajderin me padi penale e civile. Të tria kanë pasur thuajse gjuhë të njëjtë kërcënuese, derisa “IuteCredit”, në një reagim në gjuhën shqipe të shkruar nga kompani marketingu, kanë fyer autorin e shkrimit duke e cilësuar të padijshëm.

Insajderi, zbuloi të mërkurën se miliona euro të dyshimta kanë hyrë në tregun e Kosovës. Me to janë hapur institucione financiare të lidhura direkt me njerëz të fuqishëm të Rusisë të cilët janë në listën e e sanksioneve të Amerikës. Insajderi, zbulon se si udhëheqësi i platformës “Mintos”, është i lidhur me shërbimin rus. Kjo veprimtari në Kosovë ka alarmuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe AKI-në. Ndërkohë, Prokuroria po kryen hetime. Të dyshuar janë edhe zyrtarë të BQK-së.

Në pjesën e dytë të hulumtimit, Insajderi sjell detaje të transaksioneve dhe qarkullimit të parave në “Monego” dhe “IuteCredit”.

Derisa, “Monego”, ka mohuar çfarëdo lidhje me “IuteCredit”, transaksionet zbulojnë se prapa të dyjave, qëndron “Mintos”, me pronar Martins Valters, i cili po konsiderohet si njëri prej personave që përbën rrezik të madh për Kosovën. Ai, ka futur dhe qarkulluar miliona euro në tregun e Kosovës, nëpërmjet dy institucioneve financiare për kredi të shpejta, “Monego” dhe “IuteCredit”.

Dyshohet se është i lidhur me Rusinë. Këtë e bënë edhe më të sigurt një vulë në pasaportën e tij, e cila sipas institucioneve kosovare është e shërbimit sekret rus.

Të dy këto institucione janë mbyllur javë më parë nga Banka Qendrore e Kosovës, me arsyetimin se kanë shkelur ligjin dhe përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare. Pjesë e këtij rrjeti është edhe “Mogo”, e cila ende nuk është mbyllur.

Insajderi, ka zbuluar transaksionet ndërkombëtare në llogarinë e subjekti juridik “IuteCredit JCS”, me numër të regjistrimit 71358747.

Ky subjekt është regjistruar në Kosovë me 13 shkurt 2017, si shoqëri aksionare, me kapital të përgjithshëm 200,000 euro.

Sipas dokumenteve të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, pronar i subjektit është subjekti juridik “AS IuteCredit Europe”, i regjistruar në Talinn të Estonisë si shoqëri aksionare.

Sipas statutit të subjektit juridik “IuteCredit Kosovo JSC”, kjo shoqëri do të menaxhohet nga bordi menaxhues i cili përbëhet nga: Allar Niinepuu, kryetar i Bordit të Drejtorëve – Shtetas i Estonisë, Tarmo Sild, anëtar i Bordit të Drejtorëve, po ashtu shtetas i Estonisë, Mari-Liis Sammul, Anëtar i Bordit të Drejtorëve.

Drejtori ekzekutivi i shoqërisë aksionare “IuteCreditKosovo JCS”, është Shpend Maxhera.

Veprimtaria e këtij institucioni konsiderohet se ka shkelje ligjore. Si institucion mikrofinanciar, nuk ka pasur të drejtë të kryej veprimtari tjera pos dhënies së kredive. Mirëpo, duke shkelur ligjin ka marrë para me fajde nga 16 persona në Kosovë, të cilët kryesisht punojnë në banka tjera komerciale me kamatë prej 12 për qind.

Vlera e përgjithshme e kësaj fajdeje, është 600 mijë euro. Këto para i ka dhënë kredi për klientë me kamatë jashtë çdo norme, që kalojnë edhe 100 për qind.

Një raport i inteligjencës kosovare, që ka siguruar Insajderi, konstaton se “duke u bazuar në transferet hyrëse ndërkombëtare në llogarit e subjektit juridik ‘IuteCreditKosovo JSC” mund të themi se ka aktivitet të dyshimtë duke filluar nga bashkëpunimi me platformën ‘MINTOS’, e themeluar nga pronari i “Monego”, Aigars Kesenfelds, por që tash drejtohet nga Martins Valters”.

Insajderi, ka siguruar transaksionet e “Monego”, me rastin e hapjes në Kosovë. “Monego SHPK” me pronar Aigars Kesenfelds, kanë realizuar disa transaksione të cilat sipas autoriteteve kosovare konsiderohen të dyshimta.

“Monego”, ka huazuar afro 1,000,000.00 euro nga “AVOLE HOLDINGS AS”, me adresë “Antonijas Street 8-4, Riga, Latvia 2”, “NOVO HOLDINGS AS”, me adresë “Antonijas Street 8-4, Riga, Latvia” dhe “ ZS INVEST HOLDINGS AS” me adresa “Gertrudes str.30-27, Riga, Latvia”.

Transferet hyrëse janë realizuar në bazë të kontratave për huazim të lidhura në mes palëve. Si përfaqësues i “Monego” SHPK është nënshkruar i autorizuari në llogari, Egzon Halili.

Kontratat, përpos nënshkrimeve, nuk kanë ndonjë vulë por as nuk janë të noterizuara apo të përpiluara nga ndonjë zyre ligjore.

Dy prej kompanive huadhënëse kanë adresën e njëjtë “Antonijas Street 8-4, Riga”.

Këtë adresë ka edhe “AS Fenderson Properties”, me të cilën kanë pasur transaksione.

Njëri nga palët nënshkruese, Maris Keiss, është mik i afërt i pronarit të “Monego” SHPK, Aigars Kesenfelds. Bazuar në këto transaksione, “Monego”, ka pranuar pesë milionë euro. Këto para janë shfrytëzuar për pagesa të ndryshme, përfshirë kredi për klientët.

Mediat ndërkombëtare, kanë bërë shumë shkrime për Aigars Kesenfelds – pronarin e “Monego SHPK”. Këto media e kanë lidhur atë me oligarkun rus, Oleg Boyko, të cilit Aigars Kesenfelds, i ka shitur aksionet e biznesit “4 Finance”, biznes i cili ka pasur lidhje me vendet Offshore.

Bashkëpronarët e “4 Financave” janë me bazë në Maltë. “FCI Investments Limited”, ka 25 për qind të aksioneve dhe “Tirona Limited” me qendër në Qipro ka 75 %. Pronari i saj i mëparshëm ishte miliarderi i lojërave të fatit Oleg Boyko.

Sipas revistës Forbes, Boyko kishte fituar “4 Aksione” për afro 190 milionë dollarë në vitin 2012. Sipas medieve ndërkombëtare, “4 Finance” ka ndryshuar që nga shkurti 2015. Vera Boiko, ka 49 % në “Tirona Limited”. Sipas medieve ndërkombëtare, ajo është nëna e Oleg Boiko.

Ndërkaq, 25.5% e aksioneve janë në pronësi të Uldis Arnicans.

Paraprakisht, biznesmeni i ndërtimit Maris Martinsons ishte pjesë e Këshillit të “4Financës”. Kompanitë e tij kishin siguruar “4Financa” me kredi me vlerë më shumë se 1.7 milion euro. Pas disa hetimeve penale, emri i tij ishte zhdukur nga këshilli i kompanisë.

Kosova bën pjesë në territorin e minierës nga e cila njerëz të lidhur me regjimin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, prej vitesh kanë siguruar miliarda euro nëpërmjet “kredive të shpejta”, viktima të të cilave janë kryesisht qytetarë me të ardhura të vogla. Bizneset e katër letonëve, që kishin ideuar dhe nisur këtë formë përfitimi, janë shtrirë edhe në Shqipëri e Maqedoni.

“Monego” dhe “IuteCredit”, janë pjesë e një rrjeti institucionesh që kanë ofruar kredi të shpejta me kamata ekstremisht të larta, të vëna jashtëligjshëm. Një dokument që ka siguruar gazeta tregon se në një rast në Kosovë ishte aplikuar normë interesi në lartësinë 1 mijë e 987 për qind.

Veprimtaria e këtyre të dyjave është mbyllur në fundvit në Kosovë, por jo edhe e “Mogos”, që akoma lëshon kredi.

Të tria dhe 61 biznese të tjera të kësaj natyre veprojnë në 32 shtete. Që të gjitha janë nën kupolën e “Mintos”, e cila përmbledh një investim në hua prej 4.5 miliardë eurosh. Ajo e ka për themelues letonasin Aigars Ksenfelds, njeriun që në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK) figuron si aksionar i vetëm i “Monegos”, por i cili qëndron edhe pas “Mogos”. Është përfitues i fundit edhe i shumë bizneseve, ani se emri i tij nuk figuron si aksionar.

Në Bankën Qendrore (BQK), kanë thënë se ekzaminimet e institucioneve që licencohen dhe mbikëqyren nga kjo bankë bëhen konform Planit Vjetor të Mbikëqyrjes Financiare, një ndër pikat e të cilit është edhe zbatueshmëria e planit të biznesit të secilit prej këtyre institucioneve. Ekzaminimi që është bërë në Monego” dhe “IuteCredit” ka gjetur se kamatat ishin larg më të larta sesa që këto institucione i kishin paraqitur në planin e biznesit, në momentin kur kishin aplikuar për licencë veprimi në Kosovë.

BQK-ja nuk ka siguruar qasje në raportet e ekzaminimit.

“Gjetjet e ekzaminimit në ‘IuteCredit’ dhe në ‘Monego’, sikurse edhe në institucione të tjera, janë pjesë e raportit të ekzaminimit, i cili dokument bazuar në Rregullën e Brendshme të BQK-së mbi Fshehtësinë është dokument i klasifikuar (KONFIDENCIAL)”, thuhet në një përgjigje të BQK-së, në të cilën është konfirmuar se një ekzaminim është duke iu bërë edhe “Monegos”.

Ditë më parë “Koha Ditore” ka raportuar bazuar në dy dokumente, në të cilat ndodhen të përmbledhura disa nga gjetjet gjatë ekzaminimit të bërë nga BQK-ja. Këto dokumente kanë qenë bazë për mbylljen e tyre kryesisht. Ato dëshmojnë piratërinë në versionin 2.0 (avancim dhe shmangie nga koncepti fillestar i kamatave).

“Bazuar në mostrën e kredive për ekzaminim, sipas Rregullores së BQK-së, norma efektive e interesit për kredinë nr. AG0037584 duhet të jetë 1,987.0%, përderisa institucioni ka shpalosur 462.9 %”, është një prej gjetjeve të BQK-së gjatë një ekzaminimi bërë në “Monego”.

Kishte aplikuar këtë normë, ani se në planin e biznesit të dorëzuar në BQK me rastin e regjistrimit ishte planifikuar që norma efektive e interesit të jetë 26.8 për qind.

Në anën tjetër, “IuteCredit” ishte ekzaminuar për herë të dytë, për të parë nëse rekomandimet e bëra pas ekzaminimit të parë ishte duke i implementuar. Ajo kishte bërë vetëm ulje të pjesshme të normave të interesit.

“Bazuar në mostrën e përzgjedhur për ekzaminim, është vërtetuar se kredia me normën efektive më të ulët, duke përjashtuar ato pa interes, është 70.04 %, ndërsa më e larta 112.90%, përderisa mesatarja e normës efektive të interesit për këtë mostër të përzgjedhur është 82.11%”, ka gjetur BQK-ja.

Edhe ky institucion kishte aplikuar norma shumë më të larta interesi, krahasuar me ato prej 34.0 për qind, që i kishte prezantuar në planin e biznesit të dorëzuar në BQK, kur kishte aplikuar për licencë.

“Koha Ditore”, ka raportuar se biznesi i kredive të shpejta ka filluar në Letoni, një shtet postkomunist. “Dhjetë vjet më parë, katër shokë që vijonin mësimet në një shkollë elitare në kryeqytetin Riga themeluan një Start-up, ‘AS OC Finances’. Ishin Aigars Kesenfeld, Alberts Pole, Kristaps Ozols dhe Maris Keiss. Së paku tre prej këtyre janë përfitues të fundit nga bizneset e kredive të shpejta, të vendosura në Kosovë e rajon”, shkruante “Koha Ditore”.

Të katërtit kishin formuar kompaninë “4Finance”, biznes ku më vonë bleu shumicën e aksioneve oligarku Oleg Boyko.

Thesari i Shteteve të Bashkuara ka lëshuar një listë të personave kryesorë që i shërbejnë regjimit të presidentit rus, Putin, e së cilës mediat i janë referuar si “Lista e Mafies së Putinit”. Emri i Oleg Boyko ndodhet në të.

Aigars Kesenfeld, Alberts Pole, Kristaps Ozols dhe Maris Keiss kanë bërë edhe biznese vetjake, por në të tjera janë bashkaksionarë.

Në një përgjigje me shkrim, “Monego”, ka paralajmëruar Insajderin, se do ta ndjek penalisht nëse zbulon transaksionet e tyre.

“Lidhur me dosjen hetimore – informacione me një përmbajtje të tillë i janë dhënë më parë BQK-së ashtu siç kërkohet me ligj, prandaj mund të supozojmë se informacioni juaj mund të vijë nga vetë BQK-ja, e cila, nëse është e vërtetë, do të na detyronte që ta raportonim këtë fakt në polici për shkak të transferimit të paautorizuar të informacionit të tillë siç përcaktohet në ligj”, thuhet në përgjigje.

Sipas “Monego” detajet e kompanive që kanë transferuar para në Kosovë nuk janë të sakta.

“Prandaj ne hezitojmë ta komentojmë pjesën tjetër të pretendimeve në tërësinë e tyre”, thuhet në përgjigje.

“Sa i përket kontratave të huasë – ju kujtojmë se sipas ligjit të Kosovës një kontratë e tillë nuk kërkon vulë dhe noterizim, dhe pretendimi se është ndryshe do të përhapte informacione jo të sakta”, thuhet më tej.

“Monego”, ka mohuar të gjitha shkrimet e medieve ndërkombëtare.

“Nuk ka asnjë lidhje të aksionarit të vetëm të ‘Monego’ me regjimin rus ose oligarkët rusë, dhe kjo është provuar tash e sa herë. Sipas legjislacionit të BE-së, të gjithë përfituesit përfundimtar duhet të regjistrohen si të tillë, prandaj ju jeni të mirëpritur të vazhdoni hulumtimin tuaj duke verifikuar të dhënat në regjistrat publik”, thuhet në përgjigjen e “Monegos”.

“Mintos”, ndërkohë në një reagim për Insajderin, ka kërcënuar me ndjekje penale nëse nuk largohet dhe demantohet shkrimi i Insajderit.

“Artikulli juaj dëmton, përfshirë edhe reputacionin, e grupit të kompanive të ‘Mintos’, përfshirë edhe z. Martins Valters që është anëtarë i Bordit Drejtues në Grupin ‘Mintos’. Artikulli juaj përmban akuza të rreme për grupin ‘Mintos’ dhe z.Valters. Është e panevojshme të thuhet se publikimi i pasaportës dhe informatave personale të z.Valters, është shkelje e ligjit”, ka thënë kjo kompani.

“Ne do të ndjekim të gjitha rrugët ligjore që janë në dispozicion sipas ligjit penal dhe atij civil”.

“Mintos”, ka paralajmëruar padi penale dhe civile kundër Insajderit.

“Pa marrë parasysh se çka u tha më lartë dhe pa paragjykuar për ndonjë veprim nga kompanitë e ‘Mintos Group’ dhe zotin Martins Valters se a do të ngritim padi për të drejtën penale dhe civile, duke përfshirë kërkesat për dëme, dhe pa paragjykuar të drejtat e tyre për të kërkuar që ju të publikoni një demant të artikullit. Ne kërkojmë që ju të hiqni menjëherë artikullin e lartpërmendur nga domeni publik dhe të mos e ribotoni atë dhe të mos shpërndani në asnjë mënyrë”./Insajderi.com

Lexoni edhe:

Miliona të dyshimta në tregun financiar të Kosovës