Në ishujt e Greqisë Lesbos dhe Hios kanë shpërthyer përleshjet në mes policisë dhe banorëve të ishujve të cilët po protestojnë për shkak të ndërtimit të qendrave për migrantë. Banorët e ishujve kanë tentuar të pengojnë ardhjen e policisë dhe fillimin e punimeve.
Policia ka përdorur gaz lotsjellës kundër njerëzve të tubuar të cilët janë përpjekur t’i pengojnë anijet të ankorohen. Qeveria greke ka porositur se do të vazhdojë me ndërtimin e planifikuar të ndërtesave të reja të cilat do të zëvendësojnë kampet ekzistuese të stërmbushura, transmeton AP.
Shumë banorë të ishujve dhe autoritetet lokale po i kundërshtojnë këto plane, duke konsideruar se migrantët dhe azilantët duhet të barten në pjesën kontinentale të Greqisë. Rreth 500 njerëz në Lesbos kanë tentuar të pamundësojnë shkarkimin e makinerisë së rëndë, ku më pas kanë shpërthyer përleshjet pasi banorët janë përpjekur ta bllokojnë vendin e ndërtimit, transmeton Reuters.
Autoritetet greke po planifikojnë të ndërtojnë qendrat e mbyllura pranuese në Lesbos, Hios, Samos, Kos dhe Leros, ishuj këto në afërsi të Turqisë, prej nga mijëra azilantë nisen për në Evropë./Insajderi.com.