Reuters: Turqia më nuk do t’i ndalë migrantët nga Siria në rrugë për në Evropë

Turqia ka vendosur që më nuk do t’i ndalë refugjatët nga Siria të cilët po përpiqen nëpër rrugë tokësore dhe detare të arrijnë në Evropë, ka deklaruar një zyrtar turk për agjencinë Reuters.

Reuters: Turqia më nuk do t’i ndalë migrantët nga Siria në rrugë për në Evropë

Ai ka thënë se presin lëvizje masive të refugjatëve nga krahina siriane Idlib ku gjenden një milion njerëz të zhvendosur.

Policia turke, rojet bregdetare dhe kufitarët kanë marrë urdhër që të qëndrojnë anash, ka thënë zyrtari turk.

Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut ka transmetuar se kanë humbur jetën 34 ushtarë në përshkallëzimin e luftës i cili mund të shkaktojë përgjigje të ashpër të Ankarasë.

Guvernatori i krahinës turke Hatay, krahinë e cila kufizohet me Sirinë,  ka deklaruar se në sulmin në Idlib janë vrarë 33 ushtarë turq dhe për sulme i ka akuzuar forcat siriane të presidentit Bashar al Assad.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka thirrur për të enjten mbrëmje seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë në Ankara në të cilën kanë marrë pjesë ministri i mbrojtjes dhe shefat e shërbimeve sekrete.

Sipas medieve turke, është biseduar për gjendjen në Idlib.

Turqia ka dërguar mijëra ushtarë në këtë krahinë siriane për t’i përkrahur kryengritësit të cilët po luftojnë kundër ofensivës së forcave të presidentit Assad, të përkrahur me ushtrinë e Rusisë.

Gati një milionë sirianë kanë ikur në tre muajt e fundit, në eksodin më të madh qysh prej fillimit të luftës./Insajderi.com.