Në shumë vende të botës, vazhdojnë raportimet për raste të reja të të infektuarve me koronavirusin e ri, ndërsa bota po përgatitet për një pandemi të sëmundjes.
Ndikimet e koronavirusit në ekonomi po rriten, pasi investitorët thanë se janë në pritje të një recesioni global, raporton Reuters.
Çmimet e aksioneve, shënuan javën më të keqe, që nga kriza globale financiare në vitin 2008, pasi ndërprerjet në zinxhirët e udhëtimit dhe furnizimit ndërkombëtar, nxitën frikën e recesionit në Shtetet e Bashkuara dhe në zonën e euros.
Nga koronavirusi i ri, që u paraqit për herë të parë në Kinë, janë infektuar më shumë se 83.000 njerëz në mbarë botën.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka quajtur sëmundjen COVID-19.
Kina raportoi 327 raste të reja, duke e ngritur numrin e të infektuarve në 78.800 raste me gati 2.800 vdekje.
Autoritetet italiane njoftuan të enjten se ka arritur në 650 numri i personave të prekur nga koronavirusi.
Japonia do të kërkojë mbylljen e të gjithave shkollave nga dita e hënë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri, ka thënë kryeministri japonez, Shinzo Abe.
Ministria e Shëndetësisë në Iran u ka kërkuar autoriteteve të anulojnë lutjet e së premtes në qytetet e mëdha.