E pabesueshme, por e vërtetë. Në pikun e emergjencës shëndetësore, përhapja masive e koronavirus është shoqëruar me ndaljen e luftërave në botë. Nga Jemeni në Siri, për të vazhduar në Kamerun dhe Filipine, rebelët dhe ushtritë e këtyre shteteve i janë përgjigjur apelit të Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.
Pas dhimbjes së madhe dhe zisë që ka shkaktuar në mbarë globin, Covid-19 ka edhe një element pozitiv: disa vende të përfshira në konflikte të përgjakshme kanë shpallur armëpushim. Apeli i sekretarit të OKB, Guterres është dëgjuar. Kërkesa për të shmangur luftën në këtë periudhë pandemie lidhej me mbrojtjen e civilëve në zonat e konfliktit, të cilët mes bombave dhe plumbave të kallashnikovëve, do të ishin shumë të ekspozuar ndaj virusit të ri korona.
Kjo ndodhi në Jemen, vend i gjunjëzuar nga lufta 5-vjeçare. Njësoj vepruan rebelët dhe ushtria në Kamerun, si edhe Partia Komuniste në Filipine. Edhe forcat demokratike siriane e mbështetën armëpushimin, me OKB-në që i ka kërkuar edhe qeverisë të bëjë të njëjtën. Shpresa është se ndërprerja e luftës prej pandemisë do të shërbejë si shembull për të gjithë botën.