Zëvendësministri në detyrë i Financave Agim Krasniqi, përmes një shkrimi në Facebook, ka treguar se si bëhet ndarja e mjeteve nga Pakoja Emergjente që është miratuar të hënën nga Qeveria e Kosovës për kompanitë që kanë ndërprerë aktivitetin e punës, shkruan Gazeta Insajderi.
“Forma e ndarjes së këtyre mjeteve për kompanitë që kanë ndërprerë aktivitetin e punës apo i kanë lënë pa punë punëtorët, bëhet duke e dorëzuar listën e punëtorëve nga kompania që kanë punuar, përfshirë edhe llogaritë e tyre bankare në mënyrë që parat të transferohen direkt tek punëtorët dhe jo te kompanitë”.
“Po ashtu punëtorët munden që edhe në mënyrë individuale të lajmërohen në zyret e punësimit dhe të dorëzojnë kontratën e punës dhe atë të ndërprerjes si dhe llogarinë e bankës, në mënyrë që të shmangen keqpërdorimet me mjetet financiare”, ka shkruar ai.
Qeveria e Kosovës të hënën ka miratuar Pakon Emergjente, sipas së cilës parashihen ndarje shtesë për skemat sociale dhe pensionale, mbështetje financiare për shoqëritë tregtare, huadhënia për ndërmarrjet publike në vështirësi, për komunat, shtesa për mjekë, infermierë, policë, punëtorët e dyqaneve, furrave, farmacive, e shtesa për kategori të tjera./ Insajderi.com