Brazili po përgatitet për skenarin më të keq të mundshëm, si pasojë e përhapjes së koronavirusit. Në këtë shtet deri më tani kanë vdekur 359 persona, derisa 9,082 janë të infektuar.
Përhapja e madhe e pandemisë në Amerikën e Jugut, ka bërë që të urdhërohet hapja e qindra varreve, në varrezën me 780 metra katrorë, ku deri më tani janë 1.5 milione të varrosur.
Oswaldo dos Santos ka parë disa punonjës të veshur me uniforma speciale, teksa i varrosnin disa të vdekur në Cemiterio de Vila Fermosa, që është varreza më e madhe në Amerikën Latine.
I moshuari shikonte me dhembshuri, teksa po hapej varri për të birin e tij 36-vjeçar, që nuk mundi t’i mbijetonte infeksionit. “Mendoj se ishte i sëmurë, kishte disa simptoma, por vdiq ende pa i dalë rezultatet”, ka thënë Santos.
Ky është problemi më i madh në Brazil, ku konsiderohet se shumë njerëz janë të infektuar dhe nuk kanë ende një diagnose, duke u bërë burim rreziku për të tjerët.