Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve u bëjnë thirrje të gjithë amerikanëve që të vendosin maska kur dalin nga shtëpitë – si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.
“Maskat do të jenë një gjë vullnetare. Mund t’i vendosni. Nuk do të thotë se duhet ta bëni. Unë zgjedh të mos e bëj. Mund të jetë një gjë e mirë. Është vetëm rekomandim, me vullnet”, tha Trump.
“Të vendos maskë derisa takoj presidentë, kryeministra, diktatorë, mbretër, mbretëresha – nuk e di. Disi, nuk e shoh për veten time”, tha Trump, edhe pse ka ndaluar të takojë zyrtarë të huaj disa javë më parë.
Udhëzimi nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA erdhi pasi SHBA-ja raportoi për mbi 1,400 të vdekur nga koronavirusi, vetëm brenda një dite.
Shtetet e Bashkuara deri më tash kanë mbi 278,000 raste të të infektuarve me koronavirus dhe mbi 7,000 viktima.
Shteti i Nju Jorkut mbetet zona e goditur më së keqi dhe guvernatori Andrew Cuomo ka kërkuar ndihmë nga pjesët e tjera të SHBA-së.