Drejtorja menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva ka paralajmëruar se pandemia e koronavirusit mund të shkaktojë depresionin më të thellë ekonomik në botë që nga vitet 1930.
Zonja Georgieva tha të enjten se qeveritë e vendeve të botës kishin akorduar 8 trilionë dollarë në programet për t’i mbajtur ekonomitë funksionale, por se ato nuk janë të mjafueshme. Ajo tha se vendet në zhvillim do të prekeshin më rëndë dhe shtoi se një rimëkëmbje e pjesshme mund të ndodhë në vitin 2021.
Industritë e automjeteve dhe aviacionit në Shtetet e Bashkuara , parashikojnë humbje të thella mes kufizimeve të udhëtimit. Administrata për Sigurinë e Transportit (TSA) kontrolloi 95 mijë pasagjerë të mërkurën, 96 për qind më pak se sa një vit më parë. Shoqata “Airlines for America” tha se hera e fundit që kishte parë më pak se sa 100 mijë pasagjerë në ditë kishte qenë në vitin 1954./voa.