Qeveria spanjolle pritet të propozojë që Bashkimi Evropian të krijojë një fond me 1.5 trilion euro për ta ndihmuar rimëkëmbjen e vendeve që janë prekur më së shumti nga koronavirusi.
Këtë lajm së pari e raportoi gazeta spanjolle “El Pais”, e cila e citoi një dokument të brendshëm të ekzekutivit.
Gazeta raportoi se kryeministri Pedro Sanchez po planifikon që t’ua bëjë propozimin zyrtarisht kolegëve të tij të BE-së gjatë një samiti që mbahet të enjten, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
Fondi i propozuar nga qeveria spanjolle do të financohej nga borxhi i vazhdueshëm, që do të ofrohej nga 27 vendet anëtare, ndërsa të hollat që do t’u dhuroheshin vendeve do të llogariteshin si transfere e jo si borxh, shkruan kjo gazetë.
Spanja është një ndër vendet më të prekura nga koronavirusi në Evropë, bashkë me Italinë, Francën dhe Britaninë e Madhe.