OBSH tregon se a u krijua në laborator të Kinës Koronavirusi

OBSH tregon se a u krijua në laborator të Kinës Koronavirusi

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të martën se në bazë të të gjitha dëshmive të siguruara deri më tani, koronavirusi i ri e ka prejardhjen nga lakuriqët në Kinë dhe se ai nuk është manipuluar apo përgatitur në laborator.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha javën e kaluar se qeveria e tij është duke bërë përpjekje që të vërtetojë nëse virusi e ka fillin në një laborator në qytetin Wuhan të Kinës, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

“Të gjitha dëshmitë që janë në dispozicion sugjerojnë se virusi ka prejardhje nga kafshët dhe nuk është manipuluar apo ndërtuar në ndonjë laborator apo diku tjetër”, tha zëdhënësja e OBSh-së, Fadela Chaib, gjatë një konference për gazetarë në Gjenevë.

Ajo shtoi se ende nuk është e qartë se si virusi ka arritur ta tejkalojë pengesën e specieve për t’i prekur njerëzit, por virusi qartazi ka qëndruar në kafshë në ndërkohë.

Në medie të ndryshme më parë kanë qarkullur shkrime me dyshime rreth prejardhjes së virusit, duke u përmendur veçanërisht një laborator në Kinë.