“Black Lives Matter”

Ashpërsohen protestat në Britani të Madhe, rrëzohet “statuja raciste” e shekullit të 17-të (VIDEO)

Solidarizim me protestuesit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën sloganin “Black Lives Matter”, po vazhdon në gjithë botën. Protesta po mbahen edhe në Britaninë e Madhe. Madje atje edhe ka eskaluar protesta kur demonstruesit e kanë rrëzuar statujën e një tregtari skllevërish që daton që nga shekulli i 17-të.

Ashpërsohen protestat në Britani të Madhe, rrëzohet “statuja raciste” e shekullit të 17-të (VIDEO)

Demonstruesit anti-racistë në Britani të Madhe, e kanë rrëzuar statujën e një tregtari skllevërish që daton që nga shekulli i 17-të. Po e njëjta statujë, është tërhequr zvarrë nëpër rrugë e më pas është hedhur në det gjatë të dielës, si një akt dramatik proteste që e ka kthyer vëmendjen në trashëgiminë kolonialiste të Mbretërisë së Bashkuar.

Protestuesit në Bristol, në jug-perëndim të Anglisë, kanë përdorur konopë për ta tërhequr dhe rrëzuar statujën e Edward Colston, dikur një tregtar lokal i cili e kishte rritur pasurinë e tij nga tregtia me skllevër në fund të viteve 1600, shkruan CNN, njofton Insajderi.

Statuja e tij kishte qëndruar në qytetin e Bristolit që nga viti 1985-së, mirëpo prezenca e kësaj statuje në këtë qytet multi-kulturor, ka qenë tejet kontraverse.

Turmat kanë brohoritur derisa e kanë rrëzuar statujën, përpara se ta shtynin në portin detar të Bristolit dhe ta hidhnin në ujë.

Shumë njerëz e kanë përshëndetur këtë akt ndërsa videoja e statujës derisa bie në ujë, është bërë virale në Britani të Madhe. Megjithatë disa, përfshirë figurat në pozicione udhëheqëse siç është kryeministri Boris Johnson, e kanë dënuar aktin e protestuesve.

Përmendoret përkujtimore të figurave të kohës së kolonializmit dhe tregtarëve të skllevërve, janë tejet të zakonshme në Britani të Madhe. Madje në Bristol, disa rrugë, shkolla e kafene, mbajnë emrin e Colston, i cili është një figurë prominente në historinë e qytetit, por që së fundmi e gjithë veprimtaria e tij, është vënë në pikëpyetje nga të rinj bristolianë.

Protestat si kjo në Bristol, janë mbajtur edhe në kryeqytetin anglez në Londër, e edhe në vende të tjera të botës si Roma, Madridi, Varshava, Sideni e Hong Kongu, në solidarizim me protestuesit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën sloganin “Black Lives Matter”.

Kjo pas vrasjes së afro-amerikanit George Floyd, nga policia amerikane ditë më parë./Insajderi.com