Një inxhinier softverik është pushuar nga pozita që mbante në kompaninë e rrjetit social Facebook, pasi që zëshëm kritikoi Presidentin amerikan Donald Trump, për qëndrimet e tija ‘raciste’ të shprehura edhe në rrjetet sociale.
Për më tepër, inxhinieri në fjalë siç raporton Al Jazeera, e kishte kritikuar edhe shefin e tij, Mark Zuckerberg, për vendimin për të mos i larguar nga Facebook postimet e Presidentit Trump, ku ai shfaqte qëndrimet e tija kundër protestave anti-raciste në Shtetet e Bashkuara, transmeton Insajderi.
Brandon Dail, inxhinieri nga Seattle, ka shkruar në Twitter të Premten se ai ishte larguar nga puna pasi që kishte kritikuar publikisht njërin nga kolegët e tij, pasi që sipas tij, kishte refuzuar të jepte përkrahjen e tij për lëvizjen Black Lives Matter në dokumentet që po zhvillonte si “web developer”.
“Nuk e vë në dyshim që ajo që po bënte ai, shkel politikat e vendit të punës në Facebook”, ka shkruar ai të premten.
“Nuk po them se jam pushuar nga puna padrejtësisht. Isha i ngopur me Facebook, dëmin që po e shkakton kjo kompani dhe heshtjen e atyre që janë të përfshirë aty (duke përfshirë veten time)”, shkruante ndër të tjerash Dail.
Postimet e Trumpit të cilat nxitën zemërimin e stafit të Facebook, përfshinin frazën nacionaliste dhe raciste: “kur plaçkitja nis, gjuajtja fillon” në lidhje me demonstrimet kundër racizmit dhe brutalitetit policor pas vrasjes së George Floyd me 25 Maj, kur afro-amerikani vdiq në prangat e policisë në Minneapolis.
Përderisa Twitter vendosi një etiketim në postimet e Trump duke thënë që aty glorifikohej dhuna, Facebook i la të paprekura deklaratat e tij.
Zuckerberg e ka mbrojtur vendimin e tij në një mbledhje të tensionuar me pjesëtarët e stafit, ndërsa Dail shkruan në Twitter se gjatë asaj mbledhjeje, ishte “kristal e qartë se lidershipi i Facebook refuzoi të qëndronte në anën e anti-racizmit”.