Në Zvicër ka shumë ari. Thonë se është deponia botërore e metalit të çmuar. Por, pak kush e kishte menduar se ka aq shumë sa që lihet edhe qosheve të trenave. Kështu bëri një person në Zvicër. Policia tani po e kërkon për t’ia kthyer. Ai nuk po lajmërohet.
Shumicës nga ne i ka ndodhur të harrojë në autobus, apo në tren – telefonin, kuletën, dëgjueset, por vështirë t’iu ketë ndodhur të largoheni nga autobusi/treni dhe prapa ta harroni një çantë përplot me dukat.
Megjithatë, besoni ose jo, i ka ndodhur një personi në Zvicër. Tani policia i janë vënë pas për ta gjetur që t’ia kthejnë arin.
Organet e rendit po mundohen t’i bijën në gjurmë personit që harroi tetorin e kaluar një çantë me tre kilogramë dukat dhe kurrë s’u kthye për ta kërkuar.
Sasia, që vlen diku rreth 170 mijë euro, ishte gjetur në një tren që udhëton nga St Gallen në Lucern.
Pronari i arit, me ligjet e Zvicrës, ka të drejtë deri në pesë vjet që ta kërkojë pronësinë, ndryshe i humbet e drejta, shkruan BBC, njofton Insajderi.
Policia e bëri publik lajmin, vetëm pasi që u dorëzua në kërkimin e tyre për ta gjetur personin që lë pas ar dhe s’i bëhet vonë.
Tash që lajmi është bërë publik, shumë kush do të deklarohet si pronar (megjithëse ku i dihet – është Zvicër).
Ende nuk është e qartë se si do ta zgjidhin këtë problem autoritetet dhe kujt duhet t’i besojnë se është pronar i arit.