Ndihma për shpëtim

Kërkesat e afaristëve për Kryeministrin

OAK kërkon ulje të TVSH-së në pesë për qind në turizëm dhe ushqim.

Kërkesat e afaristëve për Kryeministrin

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) me kërkesë të bizneseve anëtare i është drejtuar kryeministrit, Avdullah Hoti, dhe institucioneve relevante për uljen e TVSH-së në 5 për qind për sektorin e turizmit dhe ushqimit.

Kjo është kërkesë e vazhdueshme që OAK është duke e bërë, por që nevoja tani është edhe më e madhe si rrjedhojë e zhvillimeve të fundit dhe vështirësive që ka shkaktuar pandemia me COVID-19 te këta sektorë, duke qenë ndër më të prekurit e kësaj periudhe.

“Një stimulim i tillë e sidomos tani do të ndikonte pozitivisht tek këta sektor dhe në rritjen e turizmit brenda vendit, thuhet ndër të tjera në kërkesë”, thuhet në njoftimin e OAK për media.

Lidhur me këtë OAK ka hulumtuar edhe vendet e rajonit, të cilat kanë reduktuar TVSH-në shumë më herët, duke përfshirë Shqipërinë në 6% që nga viti 2017, Maqedonia e Veriut në 5%, Mali i Zi 7%, duke bërë kështu Kosovën me TVSH-në më të lartë.

Duke rikujtuar që biznesi është në gjendje shumë të rëndë si rrjedhojë e mospërkrahjes nga ana e shtetit e sidomos ky sektor i cili është në gjendje jashtëzakonisht të vështirë, OAK ka kërkuar që të përkrahet kjo iniciativë./Insajderi.com