Figura e Skënderbeut ka tërhequr shumë njerëz të profileve të ndryshme në të gjitha elementet e tij. Një nga këto elemente që vazhdimisht ka nxitur kureshtjen e atyre që e duan historinë është edhe përkrenarja e tij me kokën e dhisë.
Cila është e vërteta e asaj përkrenare? Çfarë dimë dhe çfarë nuk dimë për atë përkrenare?
Deri më sot është spekuluar shumë rreth kësaj çështje. Gjëja e parë që duhet ta dimë është fakti që, Skënderbeu nuk e ka bartur përkrenaren në jetën e përditshme. E përdorte për raste të veçanta ceremoniale. Dimensionet e saj janë më të vogla sesa përmasat e një koke normale.
Përkrenaren me kokën e dhisë, Skënderbeut i ka ardhur si dhuratë nga aleati i tij, Duka i Milanos, Francesko Sforza, mendohet në vitin 1464, pra në fundin e karrierës së tij politike dhe ushtarake.
Por, cila është domethënia e saj përkrenare?
Ajo çfarë dihet pak për Skënderbeun, është fakti se në Evropën e asaj kohe dhe pas vdekjes së tij, Skënderbeu është vlerësuar së pari si figurë humaniste, para se të vlerësohej si profil politikani dhe ushtaraku. Kështu duke qenë se Humanizmi si rrymë kulturore ishte rivlerësim i artit dhe kulturës antike greko-romake, dhe në mesjetë mbi bazën e atij civilizimi u ndërtuan vepra arti. Një nga këto vepra ishte edhe punimi i përkrenares së Skënderbeut.
Nuk ishte e rastësishme koka e dhisë. Dihet se në mitologjinë greke, dhia Amalte ishte ajo e cila e ushqeu Zeusin me qumështin e saj, gjatë kohës kur e ëma e tij Rea, e kishte fshehur atë nga kërcënimi i Kronit, (babai i Zeusit) për ta gëlltitur edhe atë (Zeusin) sikurse bënte me fëmijët tjerë. Në këtë mënyrë, Francesko Sforza – Duka i Milanit duke e njohur pasionin dhe dijen prej humanisti të Skënderbeut për të bartur simbolika me motive nga mitologjia dhe civilizimi greko-romak, zgjodhi figurën e dhisë si ushqyese e Zeusit.
Nuk ishte kjo simbolika e parë me motive nga mitologjia greko – romake që Skënderbeu e barte me vete. Ai posedonte edhe një vulë (vula e vogël si unazë) ku ishte e gdhendur skena nga mitologjia greke. Në vulën e vogël të Skënderbeut, ishte e paraqitur Lejda – gruaja e Tindarit- me Zeusin në formë mjellme, ku pas atij çiftëzimi lindi vetë Helena, një nga gratë më të bukura të Greqisë antike. /Insajderi.com