Komiteti Olimpik i Kosovës nesër (e martë) shënon 23 qershorin – Ditën Olimpike, me ç’rast do të organizojë aktivitete të ndryshme.
Për shkak të problemeve me pandeminë globale Covid 19, Dita Olimpike do të shënohet ndryshe nga vitet e kaluara.
Në ora 10:50 KOK do të bëjë zbulimin e Rrathëve Olimpik para Shtëpisë së Sportit.
Rrathët Olimpik do të zbulohen nga presidenti i KOK-ut, Besim Hasani dhe udhëheqës të lartë të shtetit të Kosovës.
Po ashtu, nga ora 11:00, zyret e KOK do jenë të hapura për t’i pritur mysafirët, me ç’rast do të njoftohen me ambientet, rekuizitat, rezultatet dhe të arriturat e KOK që nga themelimi e deri më sot.
Në ora 14:00 në kampusin e Universitetit të Prishtinës do të mbillen 20 deri në 30 drunjë, ku secila federatë dhe sportistë elitarë, do të kenë mundësinë ta mbjellin një dru me emrin e tij/saj.
Në mesin e sportistëve elitarë, do të jenë edhe kampionia Olimpike Majlinda Kelmendi, kampionia e Evropës, Nora Gjakova, dhe trajneri i tyre, Driton Kuka, të cilët do të mbjellin nga një pemë.
Zbulimi i Rrathëve Olimpik do të transmetohet LIVE në RTK.
/Insajderi.com/